Presidenti amerikan, Donald Trump ka mbajtur fjalën e tij në banketin shtetëror mes dy delegacioneve në Pekin.
Trump tha se bisedimet dhe takimet mes dy delegacioneve ishin pozitive dhe produktive, ndërsa vlerësoi pritjen që iu bë në Pekin.
“Sot patëm biseda dhe takime jashtëzakonisht pozitive dhe produktive me delegacionin kinez më herët, dhe kjo mbrëmje është një tjetër mundësi e çmuar për të diskutuar midis miqve disa nga gjërat që diskutuam sot”, u shpreh presidenti amerikan.
Trump theksoi se marrëdhënia SHBA-Kinë është një nga më të rëndësishmet në historinë e njerëzimit. Ai përmendi në mënyrë specifike rolin e punëtorëve kinezë në ndërtimin e hekurudhave amerikane, duke nënvizuar kontributin e tyre në zhvillimin e Shteteve të Bashkuara. Në të njëjtën kohë, ai u përpoq të nxirrte në pah elementët e përbashkët kulturorë midis dy shoqërive.
“Kinezët e duan basketbollin dhe veshin xhinse blu. Populli amerikan dhe ai kinez kanë shumë të përbashkëta”, shtoi ai.
Në fund të fjalimit të tij, Trump ftoi liderin kinez Xi Jinping dhe Peng Liyuan, zonjën e parë të Kinës në Shtëpinë e Bardhë më 24 shtator 2026.
“E presim me padurim. Dhe tani do të doja të ngreja një gotë dhe të ngrija një dolli për lidhjet e pasura dhe të qëndrueshme midis popullit amerikan dhe atij kinez”, tha Trump.



