Kodi Zgjedhor në ngërç politik, kërkohet marrëveshje në Kuvend

featured
Press Online
14 Maj 2026, 15:58

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor kanë hyrë në ngërç politik, pasi pushteti kërkon konsensus në Kuvend për miratimin e reformave, ndërsa opozita kushtëzon mbështetjen me hapjen e çështjes së ndryshimeve kushtetuese, shkruan PressOnline.al.

Pas thirrjeve të kryeministrit Hristijan Mickoski dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, që opozita të përfshihet në realizimin e agjendës reformuese, lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, porositi se “emri i reformave janë ndryshimet kushtetuese dhe fillimi i negociatave me Bashkimin Evropian”.

Filipçe deklaroi se Qeveria nuk duhet të kërkojë alibi te opozita për mosrealizimin e reformave, duke theksuar se pushteti fillimisht duhet t’i përmbushë obligimet që lidhen me rrugën evropiane të vendit.

“Mickoski, siç thotë se mundet gjithçka pa ne, le ta përfundojë agjendën reformuese deri në qershor. Të mos kërkojë alibi për mosrealizimin te ne. Ka edhe shumë pika të tjera për t’u përmbushur, ndërsa fillimisht duhet t’i fusë pakicat në Kushtetutë, sepse ky është kushti themelor për vazhdimin e negociatave”, deklaroi Filipçe për “Sloboden Peçat”, përcjell PressOnline.al.

Ai shtoi se për Kodin Zgjedhor do të ketë kohë të flitet, por sipas tij, fillimisht duhet të zgjidhet çështja e ndryshimeve kushtetuese. Filipçe akuzoi pushtetin se për dy vite nuk ka bërë asgjë konkrete në drejtim të reformave dhe se nuk ka pasur qëllim të sinqertë për bashkëpunim me opozitën.

Nga ana tjetër, ministri Mucunski i bëri thirrje opozitës që të tregojë pjekuri politike dhe të mos i bllokojë proceset që lidhen me agjendën evropiane dhe Planin e Rritjes. Ai tha se vendi pret pagesë historikisht të lartë të mjeteve në kuadër të këtij plani, por për këtë nevojiten reforma dhe marrëveshje politike në Kuvend.

“Sot duam t’i bëjmë thirrje të qartë opozitës që ta lërë politikën ditore anash kur bëhet fjalë për të ardhmen evropiane dhe të tregojmë pjekuri e konstruktivitet rreth reformave kyçe për shtetin, veçanërisht atyre që janë të lidhura drejtpërdrejt me agjendën evropiane dhe Planin e Rritjes. Para së gjithash, Kodi Zgjedhor dhe reformat në drejtësi”, deklaroi Mucunski.

Sipas tij, çdo bllokim, zvarritje apo politizim i këtyre proceseve nuk është goditje ndaj Qeverisë, por ndaj perspektivës evropiane të shtetit dhe interesave të qytetarëve. Mucunski theksoi se për ligjet që duhet të miratohen në Kuvend në kuadër të Agjendës Reformuese nevojitet konsensus ose shumicë prej dy të tretash.

Ai akuzoi opozitën se publikisht flet për Evropën, ndërsa në praktikë bojkoton ligjet që kërkohen nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, mosmiratimi i këtyre ligjeve do të nënkuptonte humbje të mjeteve nga fondet evropiane për projekte dhe investime kapitale.

LSDM muajin e kaluar u tërhoq nga grupi punues për Kodin Zgjedhor, në shenjë revolte pasi shumica parlamentare e shfuqizoi Qeverinë teknike pa konsensus. Partia opozitare kishte paralajmëruar disa herë se do ta braktiste grupin punues, por kjo nuk ndikoi në vendimin e pushtetit për ta dërguar Qeverinë teknike në histori. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter