Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka caktuar për të premten seancën e parë të Komitetit për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, me një vonesë prej dy vitesh. Me këtë hap, hapet rruga që në procedurë parlamentare të hyjë edhe propozim-ligji për përfaqësim të drejtë, përcjell PressOnline.al.
Ky ligj, sipas informacioneve të publikuara, ka mbetur i bllokuar mes Qeverisë dhe Kuvendit, pasi partnerët qeveritarë duhet të harmonizohen për procedurën sipas së cilës duhet të miratohet zgjidhja ligjore. Çështja kryesore është nëse për këtë ligj nevojitet shumicë e Badenterit, për shkak se ligji prek marrëdhëniet mes bashkësive etnike.
Pikërisht për këtë arsye është e nevojshme të mblidhet Komiteti për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, i cili nuk është konstituuar edhe dy vite pas konstituimit të Kuvendit. Në rend dite të seancës së parë të këtij komiteti është zgjedhja e kryetarit dhe zëvendëskryetarit.
Komiteti deri më tani nuk është për shkak të mosmarrëveshjeve mes BDI-së dhe VLEN-it rreth asaj se kush duhet ta drejtojë këtë trup pune, i cili është kategori kushtetuese. Deri tani nuk ka informacione zyrtare nëse është arritur marrëveshje për kryesimin e Komitetit.
Sipas burimeve parlamentare, pritet që pikërisht ky Komitet të vendosë për procedurën sipas së cilës Kuvendi duhet ta shqyrtojë dhe miratojë propozim-ligjin për përfaqësim të drejtë.
“Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë me shumë gjasa do të shkojë në Komitetin për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive. Shpresojmë që Komiteti këto ditë të konstituohet”, thonë burime nga Kuvendi.
Kryeministri Hristijan Mickoski para një muaji deklaroi se ligji është dërguar në Kuvend, ndërsa nga Kuvendi pohojnë se tek ata ende nuk ka arritur. Ngërçi rreth ligjit lidhet me faktin se ai nuk ndodhet në listën e ligjeve për të cilat kërkohet shumicë e Badenterit. Megjithatë, duke qenë se prek bashkësitë etnike, vlerësohet se ligji duhet të miratohet me shumicë të dyfishtë.
Propozim-ligji më parë ka kaluar në Qeveri dhe ka marrë mendim pozitiv nga Komisioni i Venecias, por partnerët qeveritarë ende duhet të vendosin se në çfarë procedure duhet të miratohet. Për këtë çështje, si organ më i përshtatshëm për vendimmarrje shihet Komiteti për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive.
Edhe pse ligji për përfaqësim të drejtë ende nuk ka hyrë zyrtarisht në procedurë parlamentare, ai tashmë ka shkaktuar reagime të forta në opinion. BDI ka paralajmëruar se, nëse është e nevojshme, do ta kundërshtojë miratimin e tij edhe me forcë fizike. (PressOnline.al)



