Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, publikoi analizat e rezultateve të komisionit të huaj, i cili shqyrtoi dyshimet për ndërhyrje të panevojshme kardiologjike dhe kardiokirurgjike në spitale private. Megjithatë, ministri nuk sqaroi nëse ekspertët e huaj kishin status të ekspertëve gjyqësorë dhe nëse analizat e tyre kanë karakter të ekspertizës zyrtare, përcjell PressOnline.al.
Sipas asaj që u bë publike, rasti me nëntë pacientët nuk mund të përmblidhet me një kualifikim të thjeshtë se janë kryer “operacione të panevojshme”. Përkundrazi, nga deklarata e ministrit Aliu rezulton se ekspertët e huaj kanë vënë në dukje një problem më specifik: gjetje të dyshimta gjatë vlerësimit diagnostik.
Me fjalë të tjera, kontesti nuk qëndron vetëm te ndërhyrja operative si procedurë e izoluar mjekësore, por te procesi që i ka paraprirë asaj: koronarografia, gjetjet angiografike, raporti i shkruar dhe indikacioni mbi bazën e të cilit më pas është marrë vendimi për intervenim.
Në rastet kur ekziston mospërputhje ndërmjet incizimeve angiografike dhe raportit të shkruar, pyetja kryesore është nëse dokumentacioni diagnostik është interpretuar drejt dhe nëse mbi atë bazë është vendosur indikacion i përshtatshëm për trajtim. Pikërisht këtë e tregon edhe formulimi se pas këtyre mospërputhjeve ka pasuar “indikacion i papërshtatshëm për procedurat”.
Prandaj, gjetjet e komisionit të huaj hapin çështje serioze për cilësinë e vlerësimit diagnostik, kontrollin e dokumentacionit mjekësor dhe procesin e vendimmarrjes për trajtim endovaskular ose kirurgjik. Megjithatë, ato nuk lejojnë përfundimin e thjeshtuar se çdo procedurë e kontestuar automatikisht ka qenë “operacion i panevojshëm”.
Më saktë, sipas asaj që është komunikuar deri më tani, thelbi i problemit qëndron në pjesën diagnostiko-vlerësuese dhe në vendosjen e indikacionit, e jo domosdoshmërisht në vetë aktin operativ. Për këtë arsye, debati publik duhet të bëjë dallim të qartë mes dyshimit për interpretim të gabuar ose të pa harmonizuar të gjetjeve diagnostike dhe pretendimit se janë kryer operacione pa bazë mjekësore. (PressOnline.al)



