Koha kalon për të gjithë, por duket se ajo ecën pak më ngadalë për Fernando Alonso. Brenda dy muajsh e gjysmë, dy herë kampioni i botës do të bëhet piloti i 47-të në histori që merr pjesë në një garë të Formula 1 në moshën 45 vjeç. Ndërkohë që makina e tij Aston Martin është zhgënjimi i madh i këtij sezoni.
Mungesa e konkurrencës do t’i demotivonte pothuajse të gjithë, por jo Alonso, që për momentin nuk e ka konsideruar idenë të tërhiqet në fund të sezonit. Spanjolli nuk dorëzohet përballë vështirësive të Aston Martin, duke marrë përsipër një sfidë të re: atë të vazhdimit të garave.
Nga fundi i marsit, Alonso ka një tifoz shtesë, djalin e tij është Leonard. Ndaj, Fernando do të bëjë gjithçka që mundet për t’u siguruar që djali i tij mund ta shikojë atë duke garuar. “Nuk jam ndalur të mendoj për këtë ende. Nuk e kam menduar kurrë plotësisht, dhe gjithashtu duhet të flas me familjen time për këtë”, tha Alonso.
Më tej, spanjolli komentoi: “Duhet të flas me njerëzit më të afërt me mua dhe të vendos se çfarë të bëj vitin tjetër. Jam shumë i qetë. Nëse vazhdoj të garoj, mendoj se do të jetë një sezon më i mirë se ky, veçanërisht duke pasur parasysh se është vetëm viti i dytë i projektit. Përndryshe do të garoj në kategori të tjera”.
“Jam i hapur për gjithçka. Nuk do të ulem me ekipin për të marrë një vendim para pushimeve verore. Duhet të vlerësojmë përmirësimet në makinë dhe perspektivat për vitin e ardhshëm. Tani jam prind dhe ndryshon mënyrën se si e sheh jetën. Dua që djali të më shohë duke garuar. Dua që ai të hipë në makinën time“, tha Alonso.



