Aktorja humb edhe vëllanë e madh pas një sëmundjeje të rëndë!

featured
Press Online
14 Maj 2026, 04:05

Sharon Stone po përballet me një tjetër tragjedi familjare. Aktorja e njohur ka bërë të ditur se vëllai i saj më i madh, Mike Stone, është ndarë nga jeta në moshën 74-vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë.

Lajmin e trishtë ajo e ndau vetë përmes rrjeteve sociale, ku publikoi një fotografi të të ndjerit, të shoqëruar me një mesazh emocional dhe të shkurtër.

Mike Stone, vëllai im më i madh, ka ndërruar jetë. Pas një sëmundjeje të gjatë. I urojmë paqe. Sharon, Roan, Laird dhe Quinn

-shkroi aktorja.

Edhe pse Mike Stone nuk ishte një emër shumë i njohur për publikun, ai kishte pasur gjithashtu një lidhje me botën e filmit. Ai debutoi si aktor në vitin 1990 në filmin End of the Night, ndërsa në vitin 1995 u shfaq përkrah motrës së tij në “The Quick and the Dead”, projekt që i bashkoi të dy në ekran.

Kjo humbje vjen vetëm pak vite pasi Sharon Stone humbi edhe vëllanë e saj më të vogël, Patrick Stone, i cili ndërroi jetë në vitin 2023 nga një atak në zemër në moshën 57-vjeçare.

Në atë periudhë, aktorja kishte ndarë me ndjekësit një video prekëse, ku falënderonte publikun për mbështetjen dhe mesazhet e ngushëllimit.

Humbjet e njëpasnjëshme kanë qenë një goditje e fortë për aktoren, e cila shpesh ka treguar se familja zë një vend të pazëvendësueshëm në jetën e saj. Pavarësisht dhimbjes, ajo ka vazhduar të ndajë momente personale me ndjekësit, duke reflektuar mbi kujtimet, humbjen dhe forcën për të ecur përpara.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter