A është i rrezikshëm kondicioneri për fëmijët? Cila është temperatura ideale?

featured
Press Online
14 Maj 2026, 17:02

Me ardhjen e temperaturave të larta, kondicioneri bëhet një nga pajisjet më të përdorura në shtëpi, sidomos nga familjet me fëmijë të vegjël. Por bashkë me vapën rikthehen edhe shqetësimet e prindërve: a mund të ndikojë negativisht ajri i kondicionuar tek të porsalindurit dhe fëmijët?

Sipas specialistëve, përdorimi i kondicionerit nuk është i rrezikshëm nëse përdoret në mënyrën e duhur. Përkundrazi, ai ndihmon në mbajtjen e një temperature të qëndrueshme në ambient, duke shmangur mbinxehjen apo ftohjen e tepërt të trupit tek fëmijët.

Ekspertët rekomandojnë që temperatura ideale në dhomën ku qëndrojnë fëmijët të jetë nga 24 deri në 27 gradë Celsius. Një rol të rëndësishëm luan edhe lagështia e ajrit, e cila duhet të mbahet rreth 50-55%, pasi ndikon drejtpërdrejt në frymëmarrje dhe komoditetin e tyre.

Një nga gabimet më të zakonshme që bëjnë prindërit është ekspozimi direkt i fëmijës ndaj ajrit të kondicionerit. Specialistët këshillojnë që rrjedha e ajrit të mos drejtohet kurrë tek fëmija, për të shmangur irritimet apo problemet me frymëmarrjen.

Po ashtu, rekomandohet që ambienti të ajroset çdo 2-3 orë për disa minuta, në mënyrë që ajri të qarkullojë natyrshëm dhe dhoma të mos mbetet plotësisht e izoluar.

Ekspertët paralajmërojnë edhe për ndryshimet e menjëhershme të temperaturës, sidomos gjatë verës.

Në rastet kur përdoret kondicioneri në makinë, sugjerohet që ai të fiket disa minuta para se personi të zbresë, për të shmangur kontrastin e fortë mes temperaturës së brendshme dhe asaj jashtë.

Një tjetër element shumë i rëndësishëm është pastrimi i filtrave të ajrit. Filtrat e papastër mund të grumbullojnë baktere dhe mikrobe, duke u kthyer në burim infeksionesh dhe alergjish.

Ndërsa gjatë natës, specialistët rekomandojnë që kondicioneri të përdoret me kujdes ose të fiket, në mënyrë që temperatura të mbetet e qëndrueshme dhe fëmija të mos ekspozohet për orë të gjata ndaj ajrit të ftohtë.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter