Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka deklaruar se qytetarët tashmë e kanë parë se qeverisja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti ka dështuar dhe se vendi ka nevojë për ndryshim politik.
Në emisionin FIVE, Musliu tha se koalicioni qeverisës, i cili kishte marrë mbi 50 për qind të votave, nuk e ka merituar besimin e qytetarëve, pasi sipas saj ka dështuar tri herë radhazi në krijimin e institucioneve.
Ajo kritikoi Kurtin duke e cilësuar si lider përçarës dhe akuzoi atë për mungesë të vizionit për zhvillimin e vendit.
“Qytetarët e kanë parë që ai njeri është i paaftë me udhëheq me vendin”, deklaroi Musliu.
“Nëse edhe sot qytetarë nuk janë bindur për ndryshim kurrë s’kanë me u bind, nëse qytetarët duan ta kenë një lider i cili i përçan një lider i cili i përkrah ata që e keqpërdorin buxhetin shtetëror… Një lider i cili në vend të bashkimit përçan në vend të zhvillimit e kthen Kosovën mbrapa dhe e shkatërron. Në vend të politikave konkrete merret me thashethemet e Facebooku-ut e Tiktokut, ja ku e kanë le ta zgjedhin”, ka theksuar tutje ajo.
Sipas saj, PDK u ofron qytetarëve stabilitet, zhvillim dhe bashkim, duke e paraqitur Bedri Hamzën si lider që synon unitetin dhe respektimin e ligjit e Kushtetutës.
Musliu tha se Hamza nuk është “lider përçarës”, por një figurë që ka politika të qarta për zhvillimin e shtetit dhe forcimin e institucioneve.
“Nëse ata duan që ta kenë një Kosovë stabile një lider stabil edhe normal i cili për qëllim ka jo përçarjen por bashkimin e qytetarëve jo degradimin por zhvillimin e shtetit. Jo shkeljen e ligjit dhe Kushtetutës por mbrojtjen e tyre me çdo kusht, atëherë kanë liderin tonë Bedri Hamza dhe e ka dëshmuar që nuk është lider përçarës që nuk është lider shkatërrues por përbashkues dhe ka politika ët qarat në ndërtimin e shtetit”, ka deklaruar Musliu.
Ajo mbrojti edhe qeverisjet e kaluara të PDK-së, duke thënë se “çdo gjë që preket në këtë vend është vula e PDK-së”, duke shtuar se kjo parti ka qenë ndër më punëtoret në qeverisjen e Kosovës.
“Çdo njeri që punon edhe gabon por a kemi punuar po, gjene një qeveri që ka punuar më shumë se PDK. Çdo gjë që preket në këtë vend është vula e PDK-së,”, ka deklaruar ajo.
https://www.youtube.com/watch?v=Ujbd8l2aLts



