Haxhiu si u.d. presidente: Kandidimi në listën e VV-së nuk bie ndesh me Kushtetutën

featured
Press Online
13 Maj 2026, 12:11

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se përfshirja e saj në listën zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e parakohshme nuk bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës apo me ligjet në fuqi.

Haxhiu theksoi se një praktikë e tillë ka ndodhur edhe më herët në skenën politike të vendit, duke shtuar se nuk ekziston ndalim ligjor për kandidimin e saj në këtë situatë.

“Sa i përket fushatës zgjedhore dhe përfshirjes sime në listë, në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, kjo nuk është e ndaluar, pra as me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, as me ndonjë ligj tjetër në fuqi. Ne kemi pasur edhe praktika në të kaluarën njësoj. Kam thënë edhe më herët që do të përpiqem maksimalisht që të jem e kujdesshme në raport me fushatën zgjedhore, në kuptimin që të mos ketë ndonjë ndërhyrje ose përdorim të institucionit për fushatë. Kjo është e ndaluar, ju shumë mirë e dini që edhe ligji ka ndalesa në raport me këtë”, tha ajo.

Ajo pranoi se balancimi mes detyrave institucionale dhe angazhimit në fushatë nuk do të jetë i lehtë, por theksoi se do të veprojë në përputhje të plotë me obligimet kushtetuese dhe ligjore.

“Nuk e di a do të jetë e lehtë, nuk besoj që do të jetë e lehtë, por megjithatë do të përpiqem maksimalisht që të jem në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore”, tha ajo.

 

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter