Kriza në Lindjen e Mesme prek Japoninë, patatinat dalin me ambalazhe bardhezi

featured
12 Maj 2026, 11:07

Kriza në Lindjen e Mesme ka nisur të japë efektet e saj edhe në raftet e supermarketeve në Japoni. Kompania e njohur japoneze Calbee ka njoftuar se do të hedhë përkohësisht në treg ambalazhe bardhezi për disa nga produktet e saj më të njohura, për shkak të mungesës së lëndëve të para që përdoren në prodhimin e bojës së paketimit.

Sipas kompanisë, nga 25 maji do të dalin në treg ambalazhe të reja për 14 produkte, mes tyre patatina dhe snack-e me karkaleca. Vendimi lidhet drejtpërdrejt me tensionet e krijuara nga konflikti mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, si dhe me problemet në zinxhirin e furnizimit pas bllokimit të lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

Në deklaratën e saj, Calbee theksoi se ndryshimi i dizajnit të paketimit vjen si pasojë e “paqëndrueshmërisë në furnizimin me lëndë të para për shkak të tensioneve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme”. Kompania shtoi se masa është marrë për të garantuar vazhdimësinë e furnizimit të produkteve në treg.

Sipas BBC, kriza ka ndikuar veçanërisht te nafta “naphtha”, një nënprodukt i përpunimit të naftës që përdoret gjerësisht në prodhimin e bojërave dhe plastikës. Që nga nisja e konfliktit më 28 shkurt, çmimet e naphtha-s në Azi janë pothuajse dyfishuar, duke rritur ndjeshëm kostot për kompanitë e rajonit.

Qeveria japoneze po monitoron nga afër situatën. Zëvendëspërfaqësuesi i qeverisë, Kei Sato, deklaroi se para konfliktit rreth 40% e importeve japoneze të naphtha-s vinin nga Lindja e Mesme, ndërsa po bëhen përpjekje për stabilizimin e tregut dhe zgjidhjen e problemeve në zinxhirin e furnizimit.

Ndërkohë, kryeministrja japoneze Sanae Takaichi kishte bërë të ditur që në prill se Japonia synon të zgjerojë burimet e furnizimit me naphtha, duke u orientuar më shumë drejt tregjeve jashtë Lindjes së Mesme, përfshirë SHBA-në.

/vizionplus.tv

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter