Heqja ‘20 përqindshit’ ofendues, si propagandë e politikanëve shqiptarë!

featured
12 Maj 2026, 11:27

Shkruan: Fejzi HAJDARI

Nëse ka patur diçka ofenduese për shqiptarët gjatë këtyre 35 viteve demokraci, ka qenë sanksionimi i shqiptarëve në kushtetutë, si “bashkësi etnike mbi 20 për qind”. Duke qenë se si i tillë, ky formulim ka qenë irritues, ofendues, nënçmues dhe rrjedhimisht edhe provokues për qytetarët shqiptarë, partitë shqiptarëve viteve të fundit kanë filluar të luajnë edhe në këtë kartë, kuptohet, me qëllim që të përfitojnë pikë politike. Gjithmonë me të njëjtin avaz, në fushatë me fjalë janë zotuar se do të heqin këtë formulim ofendues, tamam janë ulur në kolltuk qeverie, e kanë harruar. Të gjithë njësoj, pa dallim. Jo që nuk kanë dashur ta bëjnë, por s’kanë mundur e s’kanë ditur, disa bile edhe nuk kanë guxuar prej padronëve politikë maqedonas, e disa të tjerë bile kanë bërë pazare të tipit: Na i jipni këtë tender, ne nuk do ta përmendim më këtë punë!

Kaq, mbaroi muhabeti…u harru “20 përqindshi! E sa për shqiptarinë, kujt po i hanë palla.

Në fakt, heqjen e “20 perqindshit”(!) nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut, partitë shqiptare goxha e kanë riaktualizuar ditëve të fundit, gatise njësoj sikurse në fushatat e dy cikleve të fundit të zgjedhjeve parlamentare…

Politikës shqiptare, por edhe qytetarëve, duhet t’u behet me dije se “heqja e 20%”, edhe nuk është ndonjë “sukses”, por i bie të jetë “korrigjim i një turpi dhe dështimi” të lidershipit politik shqiptar, i cili tanimë dekada me radhë, po tregohet e dëshmohet si i pafuqishëm, i paguximshëm dhe tolerant ose “pazarxhi” ndaj kërkesave kombëtare shqiptare.

Pra, shqiptarët këmbëngulësisht kërkojnë status juridiko-kushtetues ‘të barabartë me maqedonasit’ në kushtetutë, dhe jo vetëm HEQJEN e këtij formulimi.

Dua të them, gjithnjë duke u nisur nga e kaluar e hidhur, të mos i lejojmë edhe partitë shqiptare të “përfitojnë nga këto veprime proform – sa për sy e faqe!” që në shikim duken si “zgjidhje”, por në fakt nuk zgjidhin asgjë, përveç se partive ju krijojnë një “argument” më tepër, për propagandë koti!

Me fjalë tjera: Heqja e formulimit primitiv ofendues “20 perqindshit”, nuk paraqet kurrfarë suksesi, pa avansimin e statusit të shqiptarëve, kuptohet, të barabartë me atë të maqedonasve. E kaluara na flet se maqedonasit gjithnjë në mënyrë të dozuar iu kanë dhënë “të drejta shqiptarëve”, me qëllim që t’i zvarrisin deri në pa kufi. Rastin e keni me gjuhën shqipe, prej 1991 flasin për zyrtarizimin e saj, kurse në vitin 2026, konstatojnë se gjuha shqipe megjithatë nuk është zyrtare sa maqedonishtja. Pra 35 vite bla, bla, bla dhe në fund gatise asgjë!

Nëse “heqja e 20 përqindshit” nuk zëvendësohet me “statusin e barabartë të shqiptarëve me maqedonasit”, asgjë s’kemi bërë, përveç zvarritjes së problemit, siç është sot gjuha shqipe.
Nëse partitë nuk dine, nuk kanë kapacitetet partiake apo nuk guxojnë ta kërkojnë këtë të drejtë, të cilën 3% serbë në Kosovë e kanë të zgjidhur me ligj e kushtetutë, le të na therrasin neve qytetarëve t’ju ndihmojmë, sepse ka shumë forma e metoda demokratike, për tu realizuar kjo e drejtë elementare kombëtare. Pra, t’mos e lëmë politikën të bëjë pazare dhe rrjedhimisht ta zvarrisë edhe këtë kërkesë të drejtë të shqiptarëve, njësoj si zvarritja e gjuhës shqipe apo zgjidhja e statusit të ushtarëve të UÇK’së ose (mos)zbardhja deri në fund e rasteve gjyqësore të montuara ndaj shqiptarëve.

* “20 përqindshi” – Shqiptarët në kushtetutën e Maqedonise se Veriut, figurojnë si “bashkësi etnike mbi 20 për qind”. Edhe fjala “gjuhë shqipe” nuk figuron në Kushtetutë, por është zëvendësuar me kategorie statistikore

https://www.youtube.com/watch?v=gW7wpzP94Yg

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter