Plani i ri gjigant i Uber/ Të kthejë miliona makina nëpër botë në… spiunë profesionalë për Inteligjencën Artificiale!

featured
Press Online
10 Maj 2026, 04:01

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

Uber duket se ka vendosur të mos jetë më thjesht aplikacioni ku shoferi të thotë “jam poshtë” ndërkohë që është ende 11 minuta larg. Jo. Tani kompania ka një plan shumë më të madh: të kthejë miliona makina nëpër botë në… spiunë profesionalë për Inteligjencën Artificiale.

Po, seriozisht.

Ideja e re e Uber është që në të ardhmen makinat e shoferëve të pajisen me sensorë specialë që mbledhin të dhëna nga rrugët reale për kompanitë e makinave autonome. Pra çdo kthesë, semafor, biçikletë që del pa paralajmërim dhe çdo moment klasik “o shef ku shkon?” mund të përdoret për të trajnuar robotët e së ardhmes.

Dhe sinqerisht, bën logjikë. Sepse sipas Uber problemi nuk është më teknologjia. Problemi janë të dhënat. Makinat autonome kanë nevojë të shohin miliona situata reale për të mësuar si të sillen. Praktikisht si një shqiptar që mëson të ngasë makinën vetëm pasi i bien tri herë borive në Tiranë.

Uber ka tashmë partneritet me 25 kompani të makinave autonome dhe po ndërton diçka që e quan “AV Cloud”, një bibliotekë gjigante me skenarë realë nga rrugët. Me pak fjalë, Uber nuk do të ndërtojë vetë robotin. Do të bëhet profesori që u jep të gjithëve kopjen e testit.

Vite më parë Uber hoqi dorë nga ëndrra për të krijuar makinat e veta autonome. Tani po rikthehet në lojë nga dera e pasme, si ish-i që thotë “jo jo, thjesht dola rastësisht këtu”.

Më epikja? Uber thotë se nuk do fitojë para nga këto të dhëna. Që është afërsisht si të dëgjosh dikë të thotë: “Po mbledh ar për qejf, jo për lekë.”

https://www.youtube.com/watch?v=Y3m4w10KyEY

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter