Nuk ka shtrenjtim të energjisë elektrike në Kosovë deri në vitin 2027

featured
Press Online
08 Maj 2026, 10:20

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) miratoi tarifat për periudhën 2026-2027, që nuk parashohin rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët.

“Miratohen tarifat e reja pa ndryshim, pa mbarim, siç kanë qenë vitin e kaluar”, tha kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu në mbledhjen e këtij Bordi.

Në mbledhjen e pestë të ZRRE-së janë aprovuar tarifat për sistemin e tarifave për shfrytëzimin e rrjetit të transmetimit dhe tregut (KOSTT), për shfrytëzimin e sistemit të shpërndarjes (KEDS) dhe për Furnizuesin me Shërbim Universale (KESCO).

Muharrem Gashi nga Departamenti i Tarifave tha se për zhvillimin e sistemit për shfrytëzimin e rrjetit të transmetimit dhe tregut do të mbulohen kostot totale të operimit, mirëmbajtjes, investimeve dhe zhvillimit të transmetimit me vlerë prej 76 milionë e 848 mijë euro.

“Në aplikacionin e KOSTT-it, shitjet për konsumatorët e kyçur në nivel transmetimi janë paraqitur me 570.7 GWh, ndërsa pas verifikimit nga ZRRE, i kemi korrigjuar këtë vlerë në 329 GWh. Ky ndryshim ka ndikuar drejtpërdrejtë në llogaritjen e tarifave për operatorin e sistemit dhe operatorin e tregut”, tha Gashi.

Për këto tarifa, Adelina Lokaj nga Departamenti i Tarifave tha se janë strukturuar në mënyrën që të reflektojnë volumin e konsumit të energjisë dhe një shpërndarje të drejtë të kostove ndërmjet kategorive të konsumatorëve, respektivisht nivelit të tensionit

“Këto tarifa synojnë mbulimin e kostove totale të shpërndarjes, duke në përputhje me të hyrat e lejuara maksimale, në vlerë prej 185,960,000 euro për vitin relevant 2026. Në kërkesën e saj, KEDS-i ka propozuar mbajtjen e tarifave aktuale, duke u bazuar në një nivel të shitjeve prej 5,582 GWh. Përderisa ZRRE-ja ka marrë në konsideratë bilancin e energjisë elektrike të aprovuar, me një nivel të shitjeve prej 5,745 GWh. Prandaj, si rezultat i kësaj diference, tarifa mesatare ka pësuar një rënie, një rënie rreth 2.7%. Kjo është llogaritur nga departamenti i tarifave dhe çmimeve, e cila ka qenë në raport me kërkesën e KEDS-it që e kemi pranuar, edhe që kjo diferencë është reflektuar edhe në tarifat e rrjetit të shpërndarjes sipas nivelit të tensionit”, tha ajo.

Muharrem Gashi nga Departamenti i Tarifave tha se ZRRE-ja nuk e ka mbështetur propozimin për ndryshimin e strukturës tarifore dhe ka vlerësuar se një ndryshim i tillë kërkon konsultim publik dhe procedurë të veçantë.

“Ne si ZRRE vlerësojmë se ky ndryshim kërkon proces të veçantë dhe konsultim publik, për të cilin nuk ka pasur kërkesë nga furnizuesi i shërbimit universal. Prandaj ZRRE nuk mendon që duhet ky propozim të miratohet dhe mendojmë që duhet të mbahet, të pandryshuar struktura ekzistuese tarifore dhe niveli i tarifave. Pra, të ketë zero ndryshime. Struktura e tarifave bazohet në parimet që me i reflektu kostot reale të furnizimit, blerja e energjisë nga gjenerimi vendor dhe importet, nxit konsumin efikas përmes tarifave me blloqe dhe tarifave ditë-natë, bën diferencimin sipas niveleve të tensionit, 35, 10 dhe 0.4 kV, pra duke siguruar shpërndarje të drejtë të kostove ndërmjet kategorive të konsumatorëve”, tha ai./KosovaPress/

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter