Ndalen bisedimet për rinovimin me sulmuesin serb, ndërsa polaku duket një pistë e vështirë. Për francezin ka shanse rikthimi me fanellën bardhezi.
Mes Juventusit dhe Vlahoviç ka një “ngrirje”. Raporti mbetet i mirë, por marrëveshja për të vazhduar bashkë edhe për të paktën një vit nuk është arritur. Çështje ekonomike, por mbi të gjitha ekuilibri. Klubi ka vendosur që paga më e lartë në ekip të jetë ajo prej 6 milionë eurosh e Yildiz.
Në këtë situatë, serbi duhet të pranojë përgjysmimin e pagës (këtë vit merr 12 milionë). Dialogu është shtyrë për në fund të sezonit, por ideja është që Juventusi nuk do të lëvizë shumë. Propozimi është që Vlahoviç të rinovojë për rreth 5 milionë euro, plus ndonjë bonus.
Edhe pse me hapa të vegjël, duket se po afrohet pista e Kolo Muanit. Francezi ka kualitetin që kërkon trajneri Spalletti, si dhe një sponsor që shtyn transferimin te Juventusi: PSG-në, klubin që ka në pronësi lojtarin. Kolo Muani ishte afër rikthimit në Torino verën e kaluar, pastaj shkoi te Tottenham, sepse klubi anglez e pagoi më shumë.
Juventusi në fakt po kërkon dy qendërsulmues, prandaj dhe është interesuar për Robert Leëandowski, duke parë eksperiencën e tij të gjatë në arenën europiane. Për lojtarin e Barcelonës, në fund kontrate, interesohen edhe skuadra të tjera.
Juventusi e ka të vështirë këtë pistë, kështu që duhet të shtyjë fort në bisedimet me PSG-në për Kolo Muani. Po ashtu, duhet të vendosë në fund të sezonit, nëse duhet të mbajë Vlahoviç, apo të gjejë një tjetër numër 9 që jep garanci.



