Vllaznia për të 18-tin vit rradhazi është shpallur sot fituese e Kupës së Shqipërisë. Ka ndodhur kështu në garat e zhvilluara në stadiumin “Elbasan Arena” me pjesmarrjen e atletëve të të gjitha ekipeve të vendit. Ekipi shkodran ka triumfuar mbi të gjithë të tjerët duke grumbulluar më shumë pikë se të gjithë ekipet e tjera dhe si rrjedhojë ka zënë vendin e parë duke merituar trofeun e rradhës.
Ky padyshim që është një sukses i jashtëzakonshëm i ekipit të atletikës për meshkuj i Vllaznisë i cili koleksionon në këtë mënyrë Kupën e 30-të të Shqipërisë. Një shifër e jashtëzakonshme triumfesh në 107 vite histori e këtij klubi që e bën atë një rekordmen të atletikës shqiptare.
Por përpos trofeut si ekip, kanë rënë në sy edhe dy rezultate shumë të mira të atletëve të Vllaznisë. Bëhet fjalë për Endri Rakajn i cili ka zënë vendin e parë në garën e 100 metrave me një rezultat fantastik prej 10″74. Po ashtu ka spikatur edhe Muhamet Çangeli i cili në garën e kërcimit së gjati ka arritur rezultatin 7.73 metra, duke u shpallur njëkohësisht edhe sportisti më i mirë i aktivitetit me 1039 pikë olimpike.
Po në 100 metra, atleti tjetër Leandro Çardaku është renditur i dyti me kohën 10″81, edhe ky një rezultat shumë i mirë. Ndërsa në kërcim së gjati, pas Çangelit që doli i pari, u renditën Endri Rakaj i dyti dhe Mario Cepi i treti.
Në garën e 200 metrave, Leandro Çardaku doli i pari me kohën 22″09, ndërsa Durjon Idrizaj i treti me kohën 22″26. Në garën e 400 metrave Dejan Balla doli i dyti me kohën 51″92. Në 800 metra Sidrit Kopliku doli i pari me një rezultat shumë premtues 1’57″03. Po ashtu, Sidrit Kopliku ka dalë i pari edhe në garën e 1500 metrave.
Po i pari ka dalë edhe Durjon Idrizaj në garën e 110 metrave me pengesa ndërsa në kërcim trehapësh Kolindo Kiri ka dalë i pari, Mario Cepi i dyti dhe Elizeo Spathari i treti.
Ndërsa në garat e femrave ka spikatur atletja Erisa Rrasa e cila në garën e saj të preferuar, atë të kërcimit së gjati ka zënë vendin e parë duke triumfuar ndaj rivaleve të saj në këtë disiplinë.
Në përfundim të garave, ekipi i meshkujve të Vllaznisë ka arritur të grumbullojë 155 pikë duke zënë kështu vendin e parë dhe duke u shpallur fitues i Kupës së Shqipërisë edhe për vitin 2026. Një sukses mëse i merituar, që vjen falë punës së bërë prej kohësh nga të gjithë sportistët, nën drejtimin e trajnerëve Albert Marashi, Bruno Rrotani, Dorjan Tafa dhe Jetmir Jahaj.



