Shakira thyen rekordet e Madonna dhe Lady Gaga në Copacabana

featured
Press Online
03 Maj 2026, 11:10

Rio de Janeiro po përgatitet për një natë rekord.

Megakoncerti falas i Shakira në Copacabana mund të shënojë kulmin për nga numri i publikut dhe ndikimi ekonomik mes koncerteve të organizuara për eventin tashmë tradicional të majit në plazh “Të gjithë në Rio”.

Në qytetin simbol të Brazilit, mes oqeanit dhe profilit ikonik të Pão de Açúcar, priten mbi 2 milionë persona, shifra që synojnë të tejkalojnë ato të regjistruara nga Madonna në vitin 2024 (1.6 milionë) dhe nga Lady Gaga në vitin 2025 (rreth 2 milionë).

Që nga mëngjesi, mijëra fansa kanë mbushur plazhin nën diellin përvëlues të Rio-s, në pritje të yllit kolumbian, artiste globale dhe simbol i një gjenerate ikonash femërore që udhëheqin pop-in botëror.

“Ethet e Loba-s”, pseudonimi i artistes i lidhur me këngën e saj të famshme, kanë përfshirë qytetin: kudo shfaqen suvenire dhe bluza me fytyrën e Shakira-s dhe shkrimin “Lobacabana”, të cilat janë marrë me vrull nga fansat.

Koncerti, i planifikuar në mbrëmje, është më i madhi në karrierën e Shakira-s.

Skena, më e madhja e ndërtuar ndonjëherë, mbulon rreth 1.500 metra katrorë, me ekrane gjigante LED dhe një pasarelë 25 metra drejt publikut.

Sipas një studimi të bashkisë, eventi mund të gjenerojë rreth 130 milionë euro (776.2 milionë realë brazilianë) konsum, më shumë se 78 milionë euro (469 milionë realë) të lidhura me koncertin e Madonna-s dhe 100 milionë euro (592 milionë realë) nga Lady Gaga.

Bashkia ka investuar rreth 3.4 milionë euro (20 milionë realë), të cilave u shtohen fondet private.

Ndikimi përfshin turizmin, transportin, tregtinë dhe sektorin e mikpritjes.

E madhe është edhe makineria organizative: parashikohen bllokime trafiku, transport publik i përforcuar dhe metro aktive 24 orë, me bileta të dedikuara për të arritur dhe për t’u larguar nga zona e koncertit.

Në aspektin e sigurisë, autoritetet kanë angazhuar rreth 8.000 agjentë, të cilët do të kontrollojnë hyrjet përmes 18 pikave dhe do të monitorojnë eventin edhe me dronë dhe sisteme të njohjes së fytyrës.

Copacabana rikthehet në qendër të skenës globale, mes muzikës, ekonomisë dhe shifrave të mëdha, duke konfirmuar modelin e megakoncerteve si një mjet strategjik për qytetin.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter