Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez thuhet se kanë premtuar plot 10 milionë dollarë për të sponsorizuar Met Gala 2026, sipas burimeve të cituara nga Page Six.
Eventi i njohur si nata më e madhe e modës përdor fitimet e tij për të mbështetur Qendrën e Kostumeve Anna Wintour në Muzeun Metropolitan të Artit në New York City.
Përveç sponsorizimit të madh, çifti do të shërbejë edhe si bashkëkryetarë nderi të mbrëmjes së këtij viti, së bashku me emra të njohur si Beyoncé, Nicole Kidman, Venus Williams dhe Anna Wintour.
Ish-redaktori i Vogue, William Norwich, u shpreh se familja Bezos përfaqëson sot ëndrrën amerikane për sa i përket statusit, pasurisë dhe stilit, duke shtuar se ata kanë edhe mbështetjen e Anna Wintour.
Megjithatë, afrimi i familjes Bezos me Met Gala nuk është pritur njësoj nga të gjithë në botën e modës.
Disa burime e kanë cilësuar çiftin si një “familje mbretërore të re dhe paradoksale”, ndërsa të tjerë mendojnë se kjo po ndryshon karakterin tradicional të eventit.
Lauren Sanchez kishte fituar më herët vëmendjen e Anna Wintour, kur u shfaq në kopertinën dixhitale të Vogue para dasmës së saj në Venecia.
Në atë ceremoni morën pjesë emra të njohur si Kim Kardashian, Oprah Winfrey dhe Leonardo DiCaprio, ndërsa u përfol edhe për përfshirjen e Wintour në zgjedhjen e fustanit të nusërisë.
Ndërkohë, ish-menaxherja e eventeve speciale në Vogue, Stephanie Winston Wolkoff, deklaroi se Met Gala ka ndryshuar shumë me kalimin e viteve.
Sipas saj, eventi dikur bazohej te ndikimi, puna dhe kontributi në modë, ndërsa sot po bëhet gjithnjë e më shumë transaksional.
Burime të tjera thonë se sponsorizimi i Bezos mund të arrijë deri në 20 milionë dollarë, ndërsa emri i tij tashmë figuron në ftesa dhe materiale të ndryshme të eventit.



