Në Kuvendin e Kosovës sot do të mbahet një seancë plenare, e cila pritet të nisë në orën 12:00.
Në rendin e ditës janë disa projektligje dhe çështje me rëndësi institucionale dhe ekonomike, përfshirë ratifikimin e marrëveshjes me Shqipërinë për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, si dhe shqyrtimin e parë të projektligjeve për Energjinë dhe Energjinë Elektrike.
Po ashtu, deputetët do të shqyrtojnë edhe Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, si dhe një sërë emërimesh në institucione të pavarura dhe komisione shtetërore, përfshirë Këshillin Shtetëror të Cilësisë dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
Në rend dite është edhe formimi i Komisionit për dhënien e Provimit të Jurisprudencës.
Rendi i ditës:
- Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-040 për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030,
2. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-031 për Energjinë,
3. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-032 për Energjinë Elektrike,
4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-044 për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore,
5. Emërimi i tre (3) anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, të Agjencisë së Kosovës për Akreditim,
6. Shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për formimin e Komisionit për dhënien e Provimit të Jurisprudencës,
7. Emërimi i i drejtorëve në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.



