Përfaqësimi në DAP, për një vit – shqiptarët minus 7% në pozitat drejtuese

featured
Press Online
27 Prill 2026, 14:07

Përfaqësimi i shqiptarëve në pozitat drejtuese të Drejtorisë së të Ardhurave Publike ka pësuar rënie, pavarësisht se në nivel të përgjithshëm përfaqësimi ka një rritje të lehtë. Sipas të dhënave të Avokatit të Popullit, në vitin 2024 shqiptarët në DAP janë përfaqësuar në nivel të përgjithshëm me 25,3%, ndërsa maqedonasit në nivel 70%. Por, nëse shihet sipas pozitave drejtuese, shqiptarët kanë pësuar rënie prej 7%, krahasuar me vitin paraprak. Respektivisht, në vitin 2023 shqiptarët kanë qenë 19,4% në pozita drejtuese, ndërsa në vitin 2024, 12,3%.

E kundërta ndodh me maqedonasit, të cilët janë rritur për 7,5%, pothuajse sa është ulja e numrit të shqiptarëve. Respektivisht, në vitin 2023 maqedonasit kanë qenë të përfaqësuar në nivel drejtues me 76,1%, ndërsa në vitin 2024 kanë hipur në 83,6%.

Duhet theksuar se të dhënat kapin periudhën kur ende ishte në fuqi balancuesi, ndërsa Avokati i Popullit ende s’e ka publikuar raportin për përfaqësimin e komuniteteve nëpër institucione për vitin 2025, kur në shtet nuk ka një instrument që mat apo kontrollon përfaqësimin.

Alsat mëson se edhe në zyrat rajonale të Drejtorisë së të Ardhurave Publike, përfshi edhe rajonet me shumicë shqiptare nuk kanë përfaqësues. Në kryeqytet, drejtori dhe zëvendësdrejtori janë të komunitetit maqedonas, ndërkohë që e njëjta situatë pasqyrohet edhe në Kërçovë, Strugë dhe Ohër. Ndërkohë në Qendrën Rajonale të Tetovës, mësohet se drejtorit shqiptar i janë hequr kompetencat, ndërsa i janë bartur zëvendësdrejtorit, i cili është nga komuniteti maqedonas.

Drejtoresha e Drejtorisë për të Ardhura Publike, Elena Petrova thotë se megjithatë në qendrat rajonale ka edhe shqiptarë në pozita udhëheqëse. “Po po, edhe në qendrat rajonale kemi në pozita udhëheqëse, edhe drejtorë edhe udhëheqës të reparteve që janë shqiptarë”, deklaroi Petrova. (Alsat.mk)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter