Siguria ushqimore, Rama: Përafrim me standardet e BE-së për anëtarësim brenda 2030-tës

featured
Press Online
26 Prill 2026, 11:42

Kryeministri Edi Rama ka theksuar se siguria ushqimore dhe përafrimi me standardet e Bashkimi Europian mbeten në qendër të agjendës së qeverisë shqiptare, duke u konsideruar si prioritete kyçe edhe në javët në vijim.

Gjatë podkastit “Flasim”, Rama u ndal te rëndësia e garantimit të cilësisë dhe sigurisë së produkteve ushqimore në vend. Ai nënvizoi se çdo produkt që qarkullon në tregun shqiptar duhet të jetë jo vetëm i sigurt për konsumatorët vendas, por edhe në përputhje me standardet e tregut europian, ku Shqipëria synon të bëhet pjesë.

Sipas kreut të qeverisë, procesi i integrimit europian nuk duhet parë si një përmbushje formale detyrash, por si një transformim i thellë i sistemit të prodhimit dhe kontrollit ushqimor. Ai e cilësoi këtë proces si thelbësor, pasi lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e qytetarëve dhe me rritjen e besimit në produktet vendase.

Rama theksoi gjithashtu se ky transformim është një hap i domosdoshëm drejt objektivit strategjik të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian deri në vitin 2030, duke kërkuar angazhim të vazhdueshëm nga institucionet dhe aktorët e sektorit ushqimor.

Në fokus të kësaj jave ka qenë ajo që do të jetë në fokus të të gjitha javëve më pas, në një mënyrë a një tjetër, siguria ushqimore dhe përafrimi me standardet e Bashkimit Europian. Në një takim të organizuar me operatorët e sipërmarrjes ushqimore, ne u ndalëm në një temë shumë konkrete. Si do të garantojmë që çdo produkt që konsumojnë qytetarët, jo thjesht të jetë i sigurt, por të jetë një produkt i pranuar dhe i suksesshëm në tregun e nesërm të përbashkët të Europës, ku ne do të jemi anëtarë me të drejta, por edhe me detyrime të barabarta. Dhe kjo lidhet me një sfidë aktuale më të ndërlikuar të procesit tonë të anëtarësimit në Bashkimin Europian, që është sigurimi i të nesërmes për të gjithë ata, të cilët kanë ndërtuar të sotmen mbi themelet e një pike grumbullimi, përpunimi apo prodhimi të nënprodukteve ushqimore, që do të thotë që nga gjëja e gjallë deri te produktet e paketuara.

Një proces që shpesh keqkuptohet si një listë detyrash që duhen përmbushur për të tjerët, ndërkohë që në thelb është diçka që lidhet drejtpërdrejt, jo thjesht vetëm me shëndetin e shqiptarëve këtu në Shqipëri, e konsumatorëve këtu në Shqipëri, por edhe me misionin tonë të përbashkët kombëtar të Shqipërisë në Bashkimin Europian në vitin 2030. Nuk është një çështje rregullash në letër, është një çështje e ndërtimit bashkërisht të një sistemi funksional prodhimi, kontrolli, cilësie dhe besimi në çdo hallkë. Në këtë fazë, Shqipëria nuk bën vetëm harmonizimin ligjor me Bashkimin Europian, por edhe duhet të sigurojë zbatimin konkret të ligjeve në realitetin e përditshëm. E prandaj, ne po ndërveprojmë dhe do të ndërveprojmë gjithmonë e më aktivisht me sipërmarrësit dhe sipërmarrjet në bujqësi, sipërmarrësit dhe sipërmarrjet që kanë të bëjnë me produktet shtazore dhe nënproduktet e tyre, sipërmarrësit dhe sipërmarrëset që kanë të bëjnë me gjithçka që sot del nga toka e Shqipërisë, falë punës dhe duarve të tyre të arta”, tha Rama.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter

Sohbet sistemi şu anda aktif değil. Lütfen daha sonra tekrar deneyin.