Ministri i Jashtëm iranian zhvillon bisedime në Oman, pasi SHBA-ja e anuloi udhëtimin në Pakistan

featured
Press Online
26 Prill 2026, 17:43

Ministri i Jashtëm i Iranit zhvilloi bisedime me udhëheqësin e Omanit, një ditë pasi dy të dërguarit kryesorë të SHBA-së u tërhoqën papritur nga bisedimet e planifikuara për t’i dhënë fund luftës në Iran, e cila është duke zgjatur mbi dy muaj.

Takimet e Abbas Araqchi në Muskat të dielën janë pjesë e diplomacisë së “ndërmjetësuar” dhe negociatave të ndërlikuara që synojnë zgjidhjen e luftës në Iran, e cila ka bërë jehonë në mbarë botën, duke çuar në rritjen e ndjeshme të çmimeve të energjisë.

Bisedimet, të planifikuara në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, shiheshin si mundësi për përparim drejt arritjes së një marrëveshjeje për t’i dhënë fund konfliktit.

Në bisedime përfshihej Araqchi, si dhe dy të dërguarit e Shtëpisë së Bardhë: Steve Witkoff dhe dhëndri i i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner.

Megjithatë, udhëtimi i Kushnerit dhe Witkoffit u anulua në çastin e fundit të shtunën.

Nuk është plotësisht e qartë pse Trump e anuloi udhëtimin, por në një postim në rrjetet sociale ai la të kuptohej se negociatorët iranianë kanë mosmarrëveshje me autoritetet në vend.

“Shumë kohë e humbur në udhëtime, shumë punë! Për më tepër, ka përplasje dhe hutim të madh brenda ‘udhëheqjes’ së tyre”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli i kanë pezulluar bombardimet ndaj Iranit, në përputhje me armëpushimin e shpallur nga Trumpi, të cili ai e zgjati më 21 prill për kohë të papërcaktuar.

Në një intervistë të shkurtër për Axios, Trump tha se anulimi i udhëtimit të të dërguarve amerikanë nuk do të thotë automatikisht se operacionet e SHBA-së do të rifillojnë.

Araqchi, megjithatë, udhëtoi në Islamabad për atë që ai e quajti “vizitë në kohë të duhur” për takime me zyrtarë pakistanezë, të cilët kanë luajtur një rol kyç në përpjekjet për ta gjetur një zgjidhje për përfundimin e luftimeve.

Në bisedimet e tij me shefin e ushtrisë pakistaneze, marshallin Asim Munir, Araqchi përcolli “pikëpamjet dhe konsideratat” e Iranit për përfundimin e luftës, si dhe rezervat e tij ndaj kërkesave të SHBA-së, sipas Reuters, që citoi një burim anonim.

Të dielën, Araqchi u takua me sulltanin e Omanit në kryeqytetin Muskat, ku të dyja palët biseduan për gjendjen rajonale dhe përpjekjet për ndërmjetësim, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve e Omanit. Ajo nuk dha hollësi të tjera.

Mediat iraniane kanë raportuar se Araqchi mund të shkojë edhe në Moskë.

Rusia ka lidhje të ngushta me Teheranin dhe i ka dhënë atij të dhëna të rëndësishme që kanë ndihmuar Iranin t’i godasë forcat amerikane në rajon, por kryesisht ka mbajtur një rol dytësor në bisedimet për paqe.

Irani e ka kushtëzuar rikthimin në tryezën e bisedimeve me heqjen e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane, një kërkesë që Trump deri tani e ka hedhur poshtë.

Teherani gjithashtu e ka hedhur poshtë zgjatjen e njëanshme të armëpushimit nga Trump si “të pakuptimtë” derisa bllokada vazhdon të mbetet në fuqi.

Bllokada detare e SHBA-së, si dhe mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani, kanë bërë që çmimet globale të energjisë të rriten tejet shumë, duke shkaktuar mungesa karburanti në disa vende dhe ndërprerje të udhëtimeve ajrore ndërkombëtare.

Ditët e fundit, Irani ka kapur dy anije pranë ngushticës dhe ka qëlluar mbi një anije tjetër, pasi SHBA-ja e kapi një anije me flamur iranian.

Komanda e përbashkët ushtarake e Iranit paralajmëroi të shtunën se do të përgjigjej nëse Shtetet e Bashkuara e vazhdojnë bllokadën./rel

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter

Sohbet sistemi şu anda aktif değil. Lütfen daha sonra tekrar deneyin.