Udhëheqës nga e gjithë bota kanë dënuar sulmin e armatosur në darkën e korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë të shtunën në mbrëmje si një akt dhune politike.
Kryeministri i Britanisë, Keir Starmer i dërgoi një mesazh solidariteti presidentit Trump.
“Çdo sulm ndaj institucioneve demokratike ose ndaj lirisë së shtypit duhet të dënohet me termat më të ashpra të mundshme. Është një lehtësim i madh që, Presidenti, Zonja e Parë dhe të gjithë të pranishmit janë të sigurt”, tha Starmer.
Presidenti francez, Emmanuel Macron shprehu mbështetjen e tij të plotë ndaj Trump.
“Sulmi i armatosur që shënjestroi presidentin e Shteteve të Bashkuara mbrëmë është i papranueshëm. Dhuna nuk ka vend në një demokraci. I shpreh mbështetjen time të plotë Donald Trump”, deklaroi Macron.
Përmes një mesazhi në X, përfaqesuesja e lartë e BE-së tha se ishte e lehtësuar që të gjithë ata që morën pjesë në pritje janë të sigurt.
“Dhuna politike nuk ka vend në një demokraci. Një ngjarje që supozohej të festonte një shtyp të lirë nuk duhet të ishte shndërruar kurrë në një skenë terrori”, tha Kaja Kallas
Mesazhe erdhën edhe liderë të tjerë europian, por jo vetëm.
“Asnjë urrejtje politike nuk duhet të gjejë vend në demokracitë tona. Ne nuk do të lejojmë që fanatizmi të helmojë hapësirat e debatit dhe informacionit të lirë”, deklaroi Meloni.
“Sulmi në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë është një kujtesë e fortë se dhuna nuk ka vend në demokraci. Incidente të tilla nuk mund të tolerohen kurrë. Mbrojtja e institucioneve demokratike është e panegociueshme”, tha Mitsotakis.
“Ne e dënojmë sulmin që ndodhi sonte kundër Presidentit, Dhuna nuk është kurrë rruga e duhur. Njerëzimi do të përparojë vetëm nëpërmjet demokracisë, bashkëjetesës dhe paqes”, theksoi Pedro Sanchez, kryeministër i Spanjës
“Jemi të lehtësuar që presidenti dhe zonja e parë janë të sigurt. I dërgojmë urimet tona për shërim të plotë dhe të shpejtë oficerit të plagosur të policisë dhe përshëndesim Shërbimin Sekret të SHBA-së për veprimin e tyre të shpejtë dhe vendimtar”, u shpreh Benjamin Netanyahu.
Ngjarja e fundit shton shqetësimet e vazhdueshme për dhunën politike në Shtetet e Bashkuara. Trump u ka mbijetuar më parë disa tentativave për atentat, përfshirë një sulm me armë gjatë një tubimi të fushatës në Pensilvani në vitin 2024.



