Kosova e ka dërguar një ekip të Forcës së saj të Sigurisë (FSK) në Rripin e Gazës për të bërë një vlerësim të vendit ku pritet të veprojnë trupat kosovare si pjesë e një force ndërkombëtare në territorin palestinez, njoftoi FSK të dielën.
Kuvendi i Kosovës e miratoi me shumicë dërrmuese votash më 17 prill vendimin e mëparshëm të Qeverisë për të dërguar trupa në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), si pjesë e nismës së mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, pas armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit vitin e kaluar.
Hamasi është grup militant i shpallur terrorist nga SHBA dhe Bashkimi Evropian.
“Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka dërguar një ekip të FSK-së në Gazë për të realizuar rikonicionin e zonës ku do të operojnë trupat e FSK-së”, thuhet në një njoftim të FSK-së.
Ekipi do të bëjë vlerësime paraprake dhe bashkërendim të aktiviteteve lidhur me zhvendosjen e trupave të FSK-së, të cilat do të veprojë brenda misionit paqeruajtës të FNS-së, e cila është mekanizëm i themeluar si pjesë e nismës së ashtuquajtur Bordi i Paqes nga presidenti amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.
FSK-ja në njoftimin e saj në Facebook nuk tregoi se kur ka udhëtuar ekipi për në Gazë, e as se sa kohë do të zgjasë vlerësimi i terrenit.
Forca Ndërkombëtare Stabilizuese nuk është vendosur në Gazë ende për të ndihmuar në ruajtjen e paqes, si dhe për rindërtimin e territorit të rrënuar palestinez, në përputhje me Bordin e Paqes.
Sipas raportimeve të transmetuesit publik izraelit KAN, misioni pritet të nisë angazhimin në Gazë nga muaji maj, përfshirë edhe dhjetëra ushtarë nga Kosova, megjithëse institucionet në Prishtinë nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht këtë afat.
Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në këtë mision.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka thënë më herët se kontingjenti i Kosovës do të përbëhet nga disa dhjetëra oficerë, përfshirë edhe njësi për çminim.
Sipas tij, trupat do të kenë detyra për ofrimin e ndihmës humanitare, asistencë në siguri dhe detyra të tjera të përcaktuara nga mandati i forcës për Gazën.
Përveç autorizimit për dërgimin e trupave, Kuvendi duhet të miratojë edhe marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.
FSK-ja ka rreth 4.000 pjesëtarë dhe është në proces të shndërrimit në ushtri të plotë profesionale deri në vitin 2028./rel



