Konflikti Iran–SHBA ndodhet aktualisht në një gjendje të rrezikshme ngërçi diplomatik dhe ushtarak, duke krijuar pasiguri të thellë në rajonin e Gjirit Persik dhe në tregjet globale të energjisë, sipas BBC.
Situata konsiderohet e rrezikshme, pasi asnjëra palë nuk i beson tjetrës. Teherani dyshon se presidenti amerikan, Donald Trump po fiton kohë përpara një sulmi të mundshëm të papritur, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë me presionin ushtarak dhe detar në rajon.
Në të njëjtën kohë, situata është në “një gjendje pasigurie të zgjatur” diplomatike, pasi Irani refuzon të ulet në tryezën e bisedimeve për sa kohë vazhdon bllokada detare e SHBA-së.
Edhe pse armëpushimi është zgjatur pa afat, ai mbetet i brishtë dhe pa zgjidhje afatgjatë.
Ngushtica e Hormuzit nën tension të lartë
Gjendja më e tensionuar është në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më strategjike të transportit të naftës në botë, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimit global me naftë.
Raportet tregojnë se qarkullimi detar është reduktuar ndjeshëm, me vetëm një pjesë të vogël të anijeve që guxojnë të kalojnë.
Sipas burimeve të ndryshme, anije të eskortuara nga SHBA-ja janë kthyer mbrapsht nga zona, ndërsa forcat iraniane kanë ndërhyrë ndaj disa mjeteve detare të dyshuara për lidhje me portet iraniane.
Ky bllokim i pjesshëm ka rritur ndjeshëm çmimet e energjisë dhe ka krijuar frikë për ndërprerje të zinxhirit global të furnizimit.
Rreziku i përshkallëzimit ushtarak
Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se zgjatja e këtij ngërçi rrit rrezikun e një konflikti të hapur.
Një incident i vetëm në det ose një sulm i kufizuar ajror mund të shndërrohet shpejt në një përplasje të gjerë rajonale.
Sipas analizave, SHBA-ja ka lënë të hapur mundësinë e goditjes së infrastrukturës energjetike iraniane në rast përshkallëzimi, ndërsa Irani ka sinjalizuar se mund të kundërpërgjigjet duke goditur interesat e venE madhee arabe të Gjirit, duke e zgjeruar konfliktin përtej dy palëve kryesore.
Pasojat globale ekonomike
Situata po ndikon drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare të naftës dhe gazit, duke rritur paqëndrueshmërinë ekonomike globale.
Çdo kufizim në Ngushticën e Hormuzit përkthehet menjëherë në rritje çmimesh për energjinë, transportin dhe mallrat bazë.
Ekonomistët paralajmërojnë se një bllokim i plotë i ngushticës do të kishte pasoja të ngjashme me krizat energjetike të dekadave të mëparshme, me ndikim të menjëhershëm në inflacion dhe tregjet financiare.
Krahasimi me vitin 1990
Situata aktuale po krahasohet me krizën e vitit 1990, kur pushtimi i Kuvajtit nga Iraku çoi në Luftën e Gjirit dhe në një ndërhyrje të gjerë ushtarake ndërkombëtare.
Edhe atëherë, kontrolli i naftës dhe siguria në Gjirin Persik ishin në qendër të përplasjes globale.
Analistët thonë se, ndonëse aktorët janë të ndryshëm, logjika strategjike mbetet e ngjashme – “kontrolli i rrugëve energjetike dhe balanca e fuqisë në Lindjen e Mesme”.
Në këtë kontekst, kriza aktuale konsiderohet nga shumë vëzhgues si më e rënda në rajon, në më shumë se tri dekada, me potencial të lartë për përshkallëzim dhe pasoja globale.



