Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se udhëheqësit e Izraelit dhe Libanit do të zhvillojnë takime më 16 prill.
Këto do të jenë negociatat e para të këtij lloji që nga viti 1993, teksa palët synojnë të arrijnë një marrëveshje armëpushimi për t’i dhënë fund luftës mbi gjashtëjavore me Hezbollahun e mbështetur nga Irani.
Hezbollahu është grup militant dhe parti politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit dhe konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërkaq Bashkimi Evropian ka vendosur në listë të zezë vetëm krahun e armatosur të grupit.
“Po përpiqemi të krijojmë pak hapësirë lehtësuese mes Izraelit dhe Libanit. Ka kaluar shumë kohë që kur dy udhëheqësit kanë biseduar, 34 vjet. Do të ndodhë nesër”, shkroi Trump në rrjetet sociale mbrëmjen e 15 prillit.

Udhëheqësi amerikan nuk tha se kush do të jetë i përfshirë në bisedime, e as nuk dha detaje të tjera.
Luftimet në Liban nisën pasi SHBA-ja dhe Izraeli filluan sulmet ajrore ndaj Iranit më 28 shkurt.
Izraeli e ka nisur një pushtim tokësor të Libanit jugor dhe ka zhvilluar fushatë shkatërruese sulmesh ajrore në përgjigje të sulmeve të Hezbollahut, duke i vrarë mbi 2.000 njerëz dhe duke zhvendosur më shumë se 1.2 milion të tjerë, sipas autoriteteve vendëse shëndetësore.
Përfundimi i luftimeve mes Izraelit dhe Hezbollahut ka qenë pikë kyç për t’i dhënë fund edhe luftës ndaj Republikës Islamike.



