Grumbullimet dhe seleksionimet e FSHF-së me lojtarë shqiptarë që kanë lindur e janë rritur jashtë vendit po vijnë të shpeshtohen nga viti në vit. Kjo pasi nga ky kontigjent kanë dalë lojtarë cilësorë që kanë mbushur ekipet kombëtare të moshave dhe janë potenciali kryesor edhe në ekipin e parë përfaqësues. Grumbullimet e mëparshme në vendet europiane kanë qenë të efektshme, sidomos në Zvicër, Itali e Greqi. Ndërkohë, Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë për të katërtin vit radhazi seleksionime me futbollistët shqiptarë të talentuar, të cilët jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada.
Seleksionimet do të zhvillohen të shtunën, më 27 qershor 2026, në kompleksin “Hudson Sports Complex, Ëarëick NY” dhe do të jenë të fokusuara te lojtarët e vitlindjeve 2010, 2011, 2012, 2013 dhe 2014, ndërsa është i hapur edhe për futbollistet vajza pa kufizime moshe. Në seleksionimet me futbollistët shqiptarë të talentuar, të cilët jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada do të marrë pjesë edhe Drejtori i Departamentit të Skautizmit në FSHF, Tefik Osmani.
Gjithashtu, me të gjithë organizimin e seleksionimit do të merret Ansi Agolli, ish-futbollist i Kombëtares. Seleksionimet kanë si qëllim evidentimin e talenteve të reja, por në të njëjtën kohë edhe ndjekjen nga afër të progresit të lojtarëve shqiptarë që aktivizohen në SHBA dhe Kanada. Për të marrë pjesë në seleksionime, të interesuarit duhet të dërgojnë disa të dhëna nëpërmjet adresës së e-mailit, [email protected], ku të specifikojnë emrin, mbiemrin, datëlindjen, klubin ku aktivizohen, pozicionin e saktë në fushë, uebin zyrtar të klubit ku luajnë, pasaportën që zotërojnë dhe në të njëjtën kohë të dorëzojnë edhe një numër kontakti.



