Kur kanë mbetur edhe pesë javë nga fundi i Abissnet Superiore, llogaritë po bëhen me laps dhe letër. Një nga garat më interesante është për mbijetesën. Aktualisht Tirana, Vora dhe Bylisi ndodhen me pikë të barabarta, ndërsa provizorisht Vora mban vendin e shtatë dhe Bylisi atë të play out. Bardheblutë ndodhen në vendin e parafundit, me 5 pikë më shumë se Flamurtari që mbyll klasifikimin.
Kjo renditje është provizore, pasi gjatë kampionatit merret parasysh golavarazhi i përgjithshëm nëse bëhet fjalë për pikë të barabarta. Vetëm në fund mund të bëhen llogaritë sipas sfidave direkte.
Ja skenarët e mundshëm!
Nëse të tri skuadrat e mbyllin me pikë të barabarta. Çfarë bie në sy është se Tirana do bënte tifozllëk për fitoren e Bylisit apo Vorës në javën e fundit, nëse nuk do të kishte golavarazhin në krah kundrejt ballshiotëve. Kjo pasi në sfidat direkte, Tirana dhe Bylisi janë me golavarazh -1. Vora ndërkohë e ka +2 duke qenë e avantazhuar automatikisht.
Rregullorja tregon se Tirana ka 11 pikë në përballjet direkte me dy rivalët aktualë, ndërsa ndjekin Vora dhe Bylisi me nga 10 pikë. Kjo renditje mes tre ekipeve do të ndryshojë, për shkak se Vora dhe Bylisi do luajnë takimin e mbetur mes tyre. Kështu e sigurt është se Tirana nuk mund të mbijetonte direkt, nëse e mbyll kampionatin me po aq pikë sa Vora dhe Bylisi. Diçka e tillë vjen për shkak se Vora qëndron me golavarazh më pozitiv në përballjet direkte mes tre skuadrave. Kjo është edhe arsyeja e përmendur më sipër, që Tirana do të bënte “tifozllëk” për fitoren e njërës prej dy skuadrave. Në të kundërt, duhet të ketë një golavarazh më të mirë se Bylisi në 36 javët e luajtura. Dhe fakt është se Bylisi deri tani qëndron me golavarazh më të mirë falë një goli më tepër të shënuar. Pas golavarazhit merren parasysh golat e shënuar. Shorti është pika e fundit që përfshihet në rregulloren e FSHF-së për renditjen.
RREGULLORJA E FSHF-SË
22.4. Nëse dy ose më shumë ekipe kanë grumbulluar të njëjtën sasi pikësh, renditja e tyre në tabelën e klasifikimit përcaktohet duke mbajtur në konsideratë kriteret më poshtë:
Pikët e grumbulluara në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve përkatëse;
Diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve përkatëse;
Diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar gjatë Kampionatit Kombëtar të Futbollit, për Abissnet Superiore në sezonin përkatës;
Numri më i madh i golave të shënuar gjatë Kampionatit Kombëtar të Futbollit, për Abissnet Superiore, sezoni futbollistik përkatëse;
Me short;






