Eliminimi nga Liga e Kampioneve kundër Bayern Munich nuk ka kaluar në heshtje te Real Madridi. Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, në mjediset e dhomave të zhveshjes, skena ka qenë ajo e një gjendjeje lufte. Presidenti Florentino Pérez, i cili rrallëherë i thyen protokollet e tij të qetësisë, ka zbritur me urgjencë në dhomat e zhveshjes për t’u ballafaquar me skuadrën në një moment tensioni të lartë.
Sipas burimeve brenda klubit, Pérez nuk ka përdorur doreza, duke i cilësuar rezultatet e fundit si të turpshme për historinë e “Los Blancos”. “Një sezon pa trofe te Real Madridi është dështim, por dy sezone të tilla janë absolutisht të papranueshme,” mësohet të ketë thënë ai, duke prerë çdo rrugë për justifikime.
Ndonëse presidenti pranoi se ndaj gjermanëve u pa një lloj përpjekjeje në fushë, ai e bëri të qartë se kjo nuk e fshin imazhin e dobët të një viti të tërë. “E vlerësoj përpjekjen e sotme, por ky sezon ka qenë një zhgënjim i vërtetë,” deklaroi ai përpara lojtarëve që qëndronin me kokën ulur.
Goditja më e rëndë e Pérez erdhi kur ai preku çështjen e peshës së fanellës. Presidenti u kujtoi yjeve të skuadrës se kontratat e tyre marramendëse dhe fama vijnë me një kosto morale që shumë prej tyre nuk e kanë paguar këtë vit. “Të luash për Real Madridin është një privilegj që shoqërohet me shumë përgjegjësi. Shumë prej jush, thjesht nuk i kanë përmbushur ato,” shtoi ai me tone të ashpra.
Në fund, mesazhi i tij ishte një ultimatum i qartë për javët e mbetura të La Ligës, ku titulli duket tashmë një mirazh. Pérez kërkoi nga skuadra që të mos dorëzohet plotësisht, por të paktën të shpëtojë mbetjet e fundit të krenarisë: “Të paktën, mbylleni kampionatin me dinjitet.”
Ky fjalim i ashpër duket se është paralajmërimi i parë i një “fshese” të madhe që pritet të ndodhë në verë. Kur Florentino Pérez flet për dështim dhe mungesë përgjegjësie, zyrat e klubit nisin menjëherë punën për ndryshime rrënjësore.



