Gjigandi teknologjik Meta po zhvillon një version me Inteligjencë Artificiale të CEO-s së tij, Mark Zuckerberg, që do të jetë në gjendje të ndërveprojë drejtpërdrejt me punonjësit, një hap që sinjalizon ambicien e kompanisë për të rikonfiguruar veten rreth AI-së. Sipas burimeve të afërta me projektin, Meta po punon mbi krijimin e karaktereve 3D fotorealiste të fuqizuara nga Inteligjenca Artificiale, të cilat mund të komunikojnë në kohë reale. Në këtë kuadër, prioritet i është dhënë ndërtimit të një “Zuckerberg AI”, i cili do të trajnohet mbi mënyrën e të folurit, tonin, deklaratat publike dhe vizionin strategjik të vetë themeluesit.
Ky version digjital pritet të shërbejë si një ndërfaqe komunikimi me stafin, duke ofruar përgjigje, feedback dhe orientim, me synimin që punonjësit të ndihen më të lidhur me drejtimin e kompanisë. Projekti është ende në faza të hershme dhe është i ndarë nga një iniciativë tjetër e Zuckerberg për krijimin e një “CEO agent”, një mjet AI që do ta ndihmonte atë në vendimmarrje dhe akses të shpejtë në informacion.
Ky zhvillim vjen në kuadër të një investimi masiv shumë miliardë dollarësh nga Meta për të ndërtuar atë që Zuckerberg e ka quajtur “superinteligjencë personale”, në përpjekje për të konkurruar me kompani si OpenAI dhe Google. Së fundmi, Meta prezantoi edhe modelin “Muse Spark”, një sistem i specializuar AI për përdorim të brendshëm në produktet e saj, me aftësi të avancuara në arsyetim dhe përpunim vizual. Lajmi u prit pozitivisht nga tregjet, duke reflektuar rritje të aksioneve të kompanisë.
Vetë Zuckerberg raportohet të jetë gjithnjë e më i përfshirë në zhvillimet teknike, duke kaluar disa orë në javë duke programuar dhe duke marrë pjesë në rishikime inxhinierike. Meta ka eksperimentuar më herët me karaktere AI, përfshirë chatbot-e të bazuara në figura publike, por këto iniciativa janë shoqëruar edhe me polemika, sidomos për çështje të sigurisë dhe përmbajtjes së papërshtatshme. Si rezultat, kompania ka vendosur kufizime për përdoruesit e rinj.



