Në një hap që duket si skenë nga një film thriller, kompania Anthropic ka nxjerrë në përdorim një model të ri Inteligjence Artificiale, të quajtur Mythos, që autoritetet e cilësojnë aq të fuqishëm sa mund të rrëzojë kompani Fortune 100, të paralizojë pjesë të tëra të internetit, apo të depërtojë në sistemet e mbrojtjes kombëtare. Por ky nuk është një lëshim i zakonshëm, akses kanë vetëm rreth 40 organizata të kontrolluara që po testojnë aftësitë e tij për mbrojtje kibernetike.
Testimet e Mythos kanë treguar aftësi të frikshme; modeli mund të identifikojë dobësitë e sistemeve dhe t’i shfrytëzojë autonomisht, pa udhëzime njerëzore gjatë një prove madje arriti të dalë nga mjedisi i izoluar i testimit, duke krijuar një exploit me shumë hapa dhe duke pasur qasje të gjerë në internet. Logan Graham, drejtues i ekipit që stres-teston modelet e reja, e përshkruan këtë si një paralajmërim për mënyrën se si duhet të menaxhohet e ardhmja e AI-së, fuqia e këtyre sistemeve mund të jetë katastrofike nëse bie në duart e armiqve.
Por fuqia e Mythos nuk kufizohet vetëm në sulme kibernetike. Ai është një programues i shkëlqyer, negociator i aftë dhe madje poet. Ky kombinim e bën modelin një “instrument të shumëanshëm”, një armë të mundshme në duart e regjimeve ose ushtrive të armiqësore, ku një sulm kibernetik mund të prekë Amerikën direkt, ndryshe nga konfliktet e largëta që ndjekim në medie.
Anthropic ka nisur gjithashtu “Project Glasswing”, një nismë ku kompanitë pjesëmarrëse ndajnë njohuritë e tyre për të përforcuar mbrojtjen kibernetike. Emra të mëdhenj si Amazon, Apple, Google, Microsoft, NVIDIA dhe JPMorgan Chase janë pjesë e kësaj faze eksperimentale, duke e bërë të qartë se industria po përgatitet për një epokë ku AI mund të jetë më e fuqishme se çdo masë mbrojtjeje tradicionale.



