Deputetja e LSDM-së, Sanja Lukarevska, në emisionin “Top Tema” theksoi se opozita ka propozuar me kohë një paketë masash antikrizë për përballimin e rritjes së çmimeve të derivateve dhe presioneve inflacioniste, duke nënvizuar se ato duhet të shqyrtohen urgjentisht në Kuvend, informon PressOnline.al
“Ne, që para disa javësh, propozuam masa antikrizë që janë në rend dite të mërkurën në Kuvend, të cilat përfshijnë uljen e TVSH-së për benzinën dhe naftën”, deklaroi Lukarevska.
Ajo shtoi se masa të ngjashme tashmë po zbatohen ose po përgatiten edhe në vendet evropiane, si përgjigje ndaj krizës energjetike dhe rritjes së çmimeve.
“Patëm një masë për uljen e akcizës për katër denarë, ato masa u kritikuan, ndërsa tani shohim se të njëjtat janë bazë mbi të cilën do të luftojmë për përballimin e kësaj krize”, shtoi ajo.
Nga ana tjetër, deputeti nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së, Malisha Stankoviq, në të njëjtin emision theksoi se Qeveria ka reaguar me kohë ndaj krizës energjetike dhe se masat e ndërmarra kanë amortizuar goditjen e çmimeve të shkaktuar nga zhvillimet globale.
“Nuk do të thosha se qeveria gaboi në vlerësim. Dizeli në bursat botërore është rritur me mbi 10 për qind dhe, po të mos ishte ndërhyrja me uljen e akcizës, çmimi do të ishte shumë më i lartë”, u shpreh Stankoviq,përcjell PressOnline.al
Ai nënvizoi se bëhet fjalë për një krizë globale që nuk varet nga shteti, duke shtuar se, megjithatë, Maqedonia ka ndër çmimet më të ulëta të derivateve në rajon.
“Kemi një situatë që nuk varet nga Republika e Maqedonisë. Në Maqedoni përdoret nafta dhe benzina më e lirë në rajon, e ndoshta edhe në Evropë”, potencoi ai.
Stankoviq shtoi se Qeveria do të vazhdojë të reagojë në mënyrë të përshtatshme ndaj zhvillimeve në tregjet botërore, me synimin për të ruajtur stabilitetin e çmimeve dhe për të mbrojtur standardin jetësor të qytetarëve.(PressOnline.al)



