Ujërat politike në Shqipëri nuk janë më të qeta, e tashmë jo vetëm brenda opozitës, por edhe brenda mazhorancës. Çfarë po ndodh në qeveri dhe në selinë rozë, këto kanë qenë pikat e diskutimit këtë të martë në Quo Vadis në Vizion Plus të moderatores Pranvera Borakaj.
Në një lidhje me emisionin, deputeti Pirro Vengu tha se sot as Shqipëria dhe as Evropa nuk e ka më luksin te hatërmbetjet politike. Sa i përket organizimit në terren të PS, Vengu tha se kjo është tejet normale të ndodhë.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Është një riorganizim për atë që na pret në zgjedhjet e ardhshme?
Vengu: Kjo periudhë ka pasur shumë zhurmë politike, qytetarët jetojnë me sfidat dhe rezultatet. Pyetja është e thjeshtë: a bëhen punë për njerëzit apo jo? Prandaj ky angazhim 9-javor i PS-së, për të mos humbur kontaktet me terrenin. Është padyshim e nevojshme që të vërtetat e punëve që po bëhen të mos humbasin mes zhurmës politike apo informacionit. Komunikimi duhet të vazhdojë me qytetarët, me ata që jetojnë me sfidat, me angazhimet e përditshme.
Borakaj: Është i nevojshëm ky kontakt kaq i shpejtë?
Vengu: Riorganizimi i PS-së është një dinamikë normale, ne e aplikojmë në mënyrë të rregullt. E para, për të rifreskuar strukturat; hapim derën për këdo që do t’i bashkohet PS-së, duke na vendosur kështu edhe për zgjedhjet e vitit 2027. Nuk është proces formal, është proces organizimi. Është krejt i domosdoshëm, pasi jetojmë në një situatë paqëndrueshmërie, bota është në konflikt. Elementi kyç është sfida kombëtare për anëtarësimin në BE.
Borakaj: Çfarë po bëhet konkretisht?
Vengu: Aktualisht jemi të angazhuar në Sarandë dhe Delvinë me një pjesë të anëtarëve të qeverisë. Objektivi është të shohim nga afër se si zbatohet ligji për menaxhimin e mbetjeve dhe si t’i mbështesim bashkitë. Janë tre sektorë të ndryshëm. Detyra jonë në këtë moment është themelore dhe qendrore. Nuk kemi thjesht një prezencë politike, bëjmë verifikim në terren dhe influencojmë për projekte konkrete.
Borakaj: Sot kanë zier mediat për shkak të përplasjeve të cilat nuk janë më të fshehta brenda PS-së, keni ju një koment?
Vengu: Dua të jem i qartë, për nga vetë funksionet që kam pasur më parë, mund t’ju them sot se Evropa dhe Shqipëria kanë çështje më të rëndësishme se hatërmbetja ime apo e të tjerëve. Hatërmbetjet janë luks që nuk i kemi. Debatet e brendshme janë krejt normale, aq më shumë për PS-në. Nuk kam asnjë koment për deklaratat e Spiropalit apo për Braçen dhe kandidaturën e tij për Tiranën.
Borakaj: Ju personalisht keni një hatërmbetje, pse nuk jeni më ministër i Mbrojtjes?
Vengu: Absolutisht jo. Ne pozicionet nuk i kemi me tapi, jemi këtu për të shërbyer. Mua më është dhënë mundësia të shërbej në këto 13 vite. Është një privilegj që unë e mbart akoma. Çfarë është më e rëndësishme për publikun: a ulet dikush në karrigen e ministrit apo punët që bëhen për qytetarët? Në funksionet që unë kam, qytetarët interesohen për çështje reale, si rritja e çmimeve.



