Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka vlerësuar se presidenti i ri i vendit duhet të zgjidhet vetëm përmes një marrëveshjeje politike.
Sipas LDK-së, në mungesë të një marrëveshjeje të tillë, çdo tentativë tjetër është e destinuar të dështojë, dhe përgjegjëse për dështimin do të jetë Lëvizja Vetëvendosje.
Këto qëndrime të LDK-së dolën pas një mbledhjeje të grupit parlamentar të kësaj partie, e mbajtur të premten, më 27.03.2026, në të cilën u diskutuan zhvillimet e fundit politike në vend, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese dhe çështja e zgjedhjes së presidentit të vendit.
Sipas njoftimit, LDK mbetet e përkushtuar për një zgjidhje që garanton unitet institucional, përfaqësim gjithëpërfshirës dhe shmang çdo tendencë për përqendrim të pushtetit në një dorë të vetme.Institucioni i presidentit, thuhet më tej në njoftim, duhet të jetë figurë unifikuese, mbi palët politike, dhe në shërbim të rendit kushtetues dhe stabilitetit të Republikës.
“Siç ka theksuar vazhdimisht Lidhja Demokratike e Kosovës, çështja e zgjedhjes së Presidentit nuk mund të zgjidhet përmes improvizimeve procedurale, por vetëm përmes një marrëveshjeje të mirëfilltë politike, që siguron unitet institucional dhe balancë demokratike. Në mungesë të një marrëveshjeje të tillë, çdo tentativë tjetër është e destinuar të dështojë”- thuhet në njoftim.LDK thot se përgjegjësia për ndërtimin e kësaj marrëveshjeje dhe për menaxhimin e këtij procesi i takon partisë së parë.
“Çdo dështim për të arritur një zgjidhje do të bartë drejtpërdrejt përgjegjësinë politike për pasojat që pasojnë, përfshirë edhe shkuarjen në zgjedhje”- thuhet në njoftimin e LDK-së.
Në rast të dështimit dhe shkuarjes në zgjedhje, thuhet në njoftim, LDK do të garojë e bashkuar, e qartë në vizion dhe e gatshme për besimin qytetar.


