Arti i politikës në Maqedoninë e Veriut shpesh është ngatërruar me rrugët e ligjit dhe të drejtësisë. Rasti i fundit i Artan Grubit, ish-funksionar i lartë i Partisë Demokratike për Integrim (DUI), rikthen në fokus dilemën mes shërbimit të drejtësisë dhe lojës së pushtetit: a do të jetë Grubi bashkëpunëtor i ligjit apo një tregues i manipulimeve të sofistikuara politike që kanë shërbyer dekada për të mbrojtur interesat e grupeve të caktuara?
Grubi, i cili u dorëzua vetë në pikën kufitare të Blacës, duke qenë i përgatitur me kapuç dhe shall, nuk tregoi shenjë paniku. Përkundrazi, përshkoi procedurat ligjore me një qetësi të rrallë, çka ngriti pyetjen në publik: a është një akt i sinqeritetit ndaj drejtësisë apo një lëvizje strategjike e planifikuar në detaje? Pas disa orësh në paraburgim dhe para gjykatësit të procedurës paraprake, ai u kthye në shtëpi nën masën e arrestit shtëpiak, duke vulosur fazën e parë të një “krimi-trileri” politik dhe ligjor që pritet të zhvillohet.
Soraobotnik apo poqajnik – dilema e hapur
Termat “bashkëpunëtor” dhe “pokaiknik” shpesh përdoren në mënyrë binare, por realiteti politik i Maqedonisë së Veriut i jep këtyre etiketave një dimension shumë më kompleks. Kjo situatë krijon hapësirë për manipulime të sofistikuara dhe spekulime në publik. Arresti shtëpiak u perceptua si i butë për dikë që ishte në arrati më shumë se një vit, ndërsa nga një perspektivë më e gjerë, ky akt mund të jetë hapi i parë drejt zbardhjes së një rrjeti më të gjerë të korrupsionit që prek funksionarë të tjerë të lartë nga periudha 2017–2024, shkruan PressOnline.al
Grubi, dikur i konsideruar “miljenik” i ambasadave të huaja, dhe favoriti i udhëheqësit të DUI-së, Ali Ahmeti, u bë shënjestër pas vendosjes së tij në “listën e zezë” nga Shtetet e Bashkuara, sipas rekomandimit të ambasadores Angela Aggeler. Ky akt theksoi se mbështetja ndërkombëtare që më parë e mbante të paprekshëm tani ishte tërhequr, duke hapur rrugë për procesimin e çështjeve të korrupsionit të nivelit të lartë.
Grubi si katalizator i drejtësisë apo e një teatri politik?
Ndërsa shoqëruesit politikë e prezantojnë Grubin si “viktimë të sistemit” apo “i dënuar paraprakisht”, ky funksionar ka qenë gjithashtu shkak i ndarjes së brendshme në DUI, duke krijuar grupin “Ognena” që më pas iu bashkua koalicionit VREDI, dhe kontribuoi në humbje historike zgjedhore për Ahmetin. Në këtë kontekst, rikthimi i tij nuk është thjesht një çështje individuale, por mund të përbëjë një element kyç për zbardhjen e rrjetit të korrupsionit politik dhe ekonomik që lidhet me ish-funksionarë të lartë të partive kryesore.
Sidoqoftë, rikthimi i Grubit vjen në një “paketim” politik të kujdesshëm, me mbështetje të qartë nga Shtetet e Bashkuara dhe me një qasje të strategjisë së qeverisë që synon të ruajë kontrollin mbi perceptimin publik dhe të menaxhojë reagimet e aktorëve politikë. Masat e arrestit shtëpiak dhe qetësia e tij tregojnë një lloj paktizimi të brendshëm, ku interesat e drejtësisë dhe ato politike mund të përputhen ose të sfidojnë njëra-tjetrën.
Provë e drejtësisë dhe testi i shoqërisë
Çështja Grubi nuk është thjesht një rast penal; ajo përfaqëson një test të vërtetë për sistemin e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut. A do të jetë ky rast një shembull i vërtetë i llogaridhënies dhe ndëshkimit të korrupsionit, apo do të mbetet një skenë ku përfitimet e grupeve politike dhe mbrojtja e interesave personale mbizotërojnë? Publiku dhe institucionet duhet të jenë të vëmendshëm: çmimi i shpërfilljes së këtyre proceseve shpesh paguhet nga vetë shteti ligjor dhe besimi qytetar.
Rasti Grubi nuk është vetëm një histori politike e një individi, por një reflektim i thellë mbi gjendjen e demokracisë, sundimit të ligjit dhe aftësisë së institucioneve për të vepruar pa ndikim politik. Vetëm koha dhe procesi gjyqësor do të tregojnë nëse kjo do të jetë një rast i drejtësisë së plotë apo një tjetër performancë e sofistikuar për publikun.(PressOnline.al)


