Shoqëria Aksionare për organizimin e lojërave të fatit në pronësi shtetërore – Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut, reagon në mënyrën më të ashpër ndaj përpjekjeve tendencioze, dashakeqe dhe shpifëse të disa mediave me qëndrim kritik për të krijuar një perceptim të shtrembëruar dhe të pabazuar lidhur me ligjshmërinë, profesionalizmin dhe integritetin institucional të punës së Shoqërisë, duke u udhëhequr nga parimet në vijim:
I. Strategjia juridike, përgjegjësia institucionale dhe ekspertiza akademike e nivelit më të lartë
Lotaria Shtetërore e bazon veprimtarinë e saj ekskluzivisht mbi parimet e ligjshmërisë, sigurisë juridike dhe llogaridhënies institucionale. Për këtë qëllim, Shoqëria ka angazhuar ekspertizën më të lartë akademike juridike në vend, ndër të cilët edhe prof. dr. Dimitar Gelev, profesor i rregullt dhe shef i Katedrës së së Drejtës Tregtare në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” – Shkup.
Ky angazhim është një reagim i drejtpërdrejtë dhe i domosdoshëm ndaj veprimeve juridikisht të paqëndrueshme, financiarisht të dëmshme dhe institucionalisht të rrezikshme të ndërmarra nga bordi i mëparshëm drejtues dhe mbikëqyrës, si dhe nga Qeveria e mëparshme në cilësinë e themeluesit të Shoqërisë. Konkretisht, prof. dr. Dimitar Gelev ishte dhe vazhdon të jetë i angazhuar për përgatitjen e plotë dhe udhëheqjen juridike të procedurave komplekse për shuarjen e shoqërive tregtare, përkatësisht: Lotaria Shtetërore – MOZZART SHPK Shkup, Lotaria Shtetërore – 77 BITS SHPK Shkup, Lotaria Shtetërore – VEZUV SHPK Shkup dhe Lotaria e Re Shtetërore e Videolotarisë – NOVO VLT SHPK Shkup.
Mbështetja juridike përfshiu formulimin e një strategjie të plotë procedurale, kualifikimin juridik të bazave për shuarje, përcaktimin e kushteve formalo-juridike për miratimin e vendimeve dhe menaxhimin e të gjitha rreziqeve juridike dhe financiare të identifikuara, si dhe – së bashku me avokatët e angazhuar pa kompensim në kuadër të ekipit të tij – sigurimin e përfaqësimit dhe mbrojtjes juridike të vazhdueshme para organeve dhe gjykatave kompetente.
Me veçimin dhe marrjen përsipër të pjesëmarrjes në procedurën e shuarjes së NOVO VLT, Lotaria Shtetërore veproi plotësisht në përputhje me ligjin, me disiplinë institucionale dhe përgjegjësi, duke siguruar mbylljen juridikisht të pastër të shoqërisë dhe mbrojtjen afatgjatë të interesave të shtetit. Kjo u realizua në bashkëpunim dhe në frymën e marrëdhënieve të mira të partneritetit biznesor me ortakën tjetër, Shoqërinë e Shërbimeve HTL SHPK – Shkup, të shoqërisë së shuar. Procedurat për shoqëritë e tjera janë në fazë të avancuar dhe do të rezultojnë me shuarjen e tyre me vendime gjyqësore, me ç’rast do të eliminohen pasojat e themelimit dhe funksionimit të tyre të paligjshëm, në përputhje me vendimin për shuarjen e shoqërive të miratuar nga Qeveria, në cilësinë e themeluesit të Shoqërisë.
Gjithashtu, janë angazhuar edhe ekspertë të tjerë të shquar nga shkenca dhe praktika për çështje të karakterit sistemik – përcaktimin konceptual ndërmjet sektorit publik dhe pronës shtetërore, si dhe rregullimin juridik të organizimit të brendshëm dhe sistematizimit të vendeve të punës në Drejtori dhe në më shumë se 315 degë.
Me masat ligjore, menaxheriale dhe kontrolluese të ndërmarra dhe me angazhimin e ekspertëve eminentë, Lotaria Shtetërore ka parandaluar shpenzimin e mëtejshëm joracional të mjeteve publike dhe njëkohësisht ka eliminuar rreziqet e dëmeve financiare shtesë, duke siguruar mbrojtjen afatgjatë të kapitalit shtetëror dhe integritetit institucional të Shoqërisë.
II. Persona të angazhuar me kontratë për shërbime (kontratë për vepër)
Në periudhën e udhëheqjes së mëparshme, në Lotarinë Shtetërore ishin të angazhuar rreth 190 persona me kontratë për vepër. Udhëheqja e re, e udhëhequr nga parimet e racionalitetit, ligjshmërisë dhe arsyeshmërisë funksionale, e ka ulur këtë numër për më shumë se gjysmën, respektivisht në 95 persona. Nga këta 95 persona të angazhuar, mbi 60 janë të angazhuar në pikat e shitjes që përbëjnë rrjetin primar të shitjes së Shoqërisë, të vendosura në qendra tregtare dhe në pika pagesash në pronësi të saj, ndërsa të tjerët kryejnë detyra kontrolluese dhe administrative të domosdoshme për funksionimin e pandërprerë të sistemit. Personat e angazhuar në sektorin e marketingut, ndër të cilët ka edhe figura publike dhe të njohura, kryejnë aktivitete marketingu për shkak të ndikimit të tyre në rrjetet sociale, si dhe aftësive regjisoriale dhe artistike të disa prej të angazhuarve, me qëllim përmirësimin e pozitës së Lotarisë Shtetërore në tregun e lojërave të fatit.
III. Parregullsi në punën e udhëheqjes së mëparshme të Shoqërisë, të evidentuara në Raportin e Entit Shtetëror të Revizionit
Udhëheqja aktuale e Shoqërisë, me shkresë nr. 02-6328/1 të datës 12.09.2024, iu drejtua Entit Shtetëror të Revizionit për shkak të parregullsive dhe mospërputhjeve të vërejtura në punën financiare të Shoqërisë, duke kërkuar kryerjen e një revizioni për periudhën e mëparshme. Pas revizionit të realizuar në periudhën nga prilli deri në fund të tetorit 2025, në Raportin e Entit Shtetëror të Revizionit u konstatuan parregullsi serioze dhe sistemike në punën financiare të Shoqërisë, pikërisht gjatë periudhës së menaxhimit nga udhëheqja e mëparshme.
Gjetjet e revizionit tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e parregullsive në punën financiare dhe kontabël lidhen me veprimet e ndërmarra nga ish-drejtoresha e Sektorit të Financave dhe Kontabilitetit, e emëruar nga udhëheqja e atëhershme e Shoqërisë. Lidhur me këto veprime, sipas informacioneve dhe njoftimeve në dispozicion të Lotarisë Shtetërore, po zhvillohen veprime parahulumtuese nga organet kompetente, përfshirë Policinë Financiare dhe Prokurorinë Publike.
Sipas gjetjeve të përfshira në Raport, gjatë periudhës së udhëheqjes së mëparshme është konstatuar keqpërdorim i mjeteve financiare të Shoqërisë, konkretisht nga ish-drejtoresha e Sektorit të Financave dhe Kontabilitetit, me ç’rast është shkaktuar dëm material në vlerë prej të paktën 3.5 milionë euro. Këto konstatime përbëjnë një tregues serioz të shkeljes së parimeve të ligjshmërisë, disiplinës financiare dhe menaxhimit të përgjegjshëm të mjeteve publike. Për ecurinë dhe përfundimin e procedurave të iniciuara nga udhëheqja aktuale para institucioneve kompetente, publiku do të informohet me kohë dhe në mënyrë transparente në periudhën në vijim.
Për rrjedhojë, Lotaria Shtetërore nuk ka ndërmend të lejojë që përmes disa podkasteve, si INFOMAX.MK, apo portaleve të ngjashme, të relativizohen fakte që kanë qenë objekt i një revizioni zyrtar dhe i veprimeve institucionale nga Policia Financiare dhe Prokuroria Publike.
Lotaria Shtetërore i inkurajon dhe i fton të gjitha portalet dhe podkastet mediatike me qëndrim kritik, në interes të informimit të saktë, të përgjegjshëm dhe profesional të publikut, si dhe në frymën e gazetarisë autentike hulumtuese, që vëmendjen e tyre ta fokusojnë te çështjet thelbësore dhe faktikisht të vërtetuara që lidhen me dëmin material shumëmilionësh, të shprehur në euro, të shkaktuar nga veprimet e udhëheqjes së mëparshme – ashtu siç është konstatuar në Raportin e Entit Shtetëror të Revizionit – dhe jo në plasimin e deklaratave shpifëse, të pabazuara dhe dokumenteve të paverifikuara nga podkaste dhe portale si INFOMAX.MK, për të cilat ekzistojnë indicie se burimi i tyre janë persona ndaj të cilëve po zhvillohen procedura parahulumtuese nga organet kompetente, dhe që kanë për qëllim diskreditimin e punës aktuale, të ligjshme, transparente dhe të përgjegjshme të Shoqërisë.
Në fund, Lotaria Shtetërore thekson qartë dhe pa mëdyshje se çdo përpjekje e mëtejshme për përhapjen e dezinformatave, manipulimeve dhe pretendimeve shpifëse do të trajtohet si cenim serioz i reputacionit të institucionit dhe do të shkaktojë reagimin më të ashpër, adekuat dhe të bazuar ligjërisht, përfshirë ndërmarrjen e të gjitha mjeteve ligjore në dispozicion për mbrojtjen e integritetit dhe privatësisë së të punësuarve, dhe rrjedhimisht edhe të integritetit institucional të Shoqërisë.






