Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Serbia sot më mirë se kurrë më parë e ka kuptuar realitetin shtetëror të Kosovës, edhe pse vazhdon të refuzojë njohjen formale.
Duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, Kurti ka theksuar se raportet në rajon kanë ndryshuar rrënjësisht dhe se ideja e Serbisë për rikthim të Kosovës nën ndikimin e saj duhet të shuhet përfundimisht.
Sipas Kurtit, nga katër shtetet fqinje të Kosovës, tre prej tyre e njohin pavarësinë, ndërsa Serbia mbetet e vetmja që vazhdon ta mohojë atë, pavarësisht se në praktikë e ka të qartë se Kosova është shtet i veçantë dhe sovran.
“Vetëm Serbia nuk na njeh dhe nuk duket se do ta bëjë së shpejti. Megjithatë, unë mendoj se ata e kuptojnë më mirë se kurrë që Kosova është shtet tjetër. Realiteti ka ndryshuar shumë, por ajo që duhet të ndodhë është që të shuhet ëndrra e tyre për kthim”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka akuzuar Federatën Ruse si faktor kyç destabilizues në rajon, duke e cilësuar si një “perandori” që nuk pranon fqinjësi reale dhe që, përmes Serbisë, tenton të ndikojë negativisht në Ballkanin Perëndimor.
“Kontribuuesi kryesor i kësaj ëndrre destabilizuese është ajo që dikur quhej Perandoria Ruse, e sot është Federata Ruse. Rusia nuk dëshiron fqinj, por në realitet është e pamundur të mos kesh fqinj”, ka shtuar ai.


