Zëvendëskryeministri Arben Fetai ka reaguar përmes një statusi në Facebook lidhur me informacionet se gjyqtarit Gjoko Ristov i janë gjetur rreth 350 mijë euro, për të cilat dyshohet se kanë prejardhje nga korrupsioni, informon PressOnline.al
Sipas Fetait, ky rast dëmton rëndë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe nuk duhet të trajtohet si një rast i izoluar. Ai thekson se bëhet fjalë për një problem më të gjerë sistemik, i cili, sipas tij, ka funksionuar për vite me radhë në mbrojtje të personave me pushtet, në dëm të qytetarëve të zakonshëm.
Fetai kujton se Gjoko Ristov, së bashku me gjyqtarin Enver Bexheti, kanë qenë pjesë e vendimeve gjyqësore që çuan në lirimin e ish-zyrtarit të lartë Sasho Mijallkov. Sipas tij, edhe këto vendime duhet të jenë objekt i hetimit për të sqaruar rrethanat dhe përgjegjësitë eventuale.
Në reagimin e tij, zëvendëskryeministri ngre pyetjen se sa gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë mund të jenë të përfshirë në praktika të ngjashme dhe kërkon që institucionet kompetente të veprojnë pa vonesë, me hetime të plota dhe përgjegjësi konkrete.
Reagimi i Fetait vjen në kohën kur organet hetuese po zhvillojnë procedura lidhur me dyshimet për korrupsion në sistemin e drejtësisë.


