Nga: Arsim Sinani
Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka nuk janë thjesht emra të historisë së rezistencës shqiptare; ata janë ndër themeluesit moralë dhe politikë të idesë së Kosovës së lirë. Për këtë arsye, vendi i tyre i prehjes nuk është një çështje procedurale apo emocionale, por një akt i domosdoshëm i drejtësisë historike. Vendi i prehjes së tyre do të duhej të ishte për shumë arsye, Prishtina.
Prishtina është kryeqyteti i Republikës së Kosovës, qendra ku u kristalizua ideali për të cilin ata vepruan, u përndoqën dhe u vranë. Ata ranë për Kosovën politike, për vetëdijen kombëtare dhe për lirinë që sot ka emër, institucione dhe flamur. Është e natyrshme që prehja e tyre të jetë në zemrën e këtij realiteti shtetëror, aty ku sakrifica merr kuptim të plotë historik.
Vendosja e varreve të tyre në Prishtinë do të ishte një akt i fuqishëm i ndërtimit të Kujtesës kombëtare. Një memorial i përbashkët në kryeqytet nuk do të ishte vetëm një vend nderimi, por një hapësirë edukimi qytetar dhe ndërgjegjësimi politik për brezat e rinj. Kujtesa kombëtare nuk ndërtohet vetëm me libra dhe përvjetorë, por me prani simbolike në hapësirat publike të shtetit, aty ku historia takohet çdo ditë me qytetarin. Dhe mungesa e tyre është e dukshme, mungon memorializimi i tyre.
Jusuf Gërvalla ishte intelektual, shkrimtar dhe mendimtar politik; Kadri Zeka ideolog dhe organizator i rezistencës; Bardhosh Gërvalla pjesë e pandarë e këtij trinomi të sakrificës. Ata, vepruan si një trup i vetëm politik dhe historik. Prandaj edhe kujtesa për ta duhet të jetë e përbashkët dhe e vendosur aty ku historia e Kosovës flet me zë institucional, në Prishtinë.
Kjo është një thirrje për ta ndërtuar idenë dhe kujtesën se figurat që sakrifikuan për lirinë e Kosovës e kanë vendin në kryeqytet, aty ku çdo ditë parakalojnë mijëra njerëz për t’i nderuar këta viganë të kombit shqiptar, martirë të Kosovës.
Kjo nuk është çështje thjeshtë zhvendosjeje estetike , por vendosjeje në vend të një të drejte historike; jo mohim i asnjë hapësire tjetër shqiptare, por afirmim i qendrës së gravitetit të veprës së tyre politike.
Një shoqëri që nuk di t’i vendosë siç duhet heronjtë e saj në hapësirë, rrezikon t’i humbasë ata edhe në kujtesë. Prishtina, si kryeqytet, e ka jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimin moral që të jetë vendi i kujtesës kombëtare për Jusuf Gërvallën, Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën.
Them se çdo vonesë për ti mbajtë në periferi të Kosovës, ndikon dhe ata mbeten, harresë kolektive. E Republikës 3 shi militant i duhet në zemër të Kosovës, aty ku Kujtesa merr kuptim. Aty e kanë vendin Jusufi, Kadriu e Bardhoshi.


