Prej ditës së djeshme, Shqipëria është zhytur nën reshje të dendura shiu dhe një valë përmbytjesh që ka prekur pothuajse çdo qark të vendit. Shtëpi nën ujë, toka të dëmtuara, qindra njerëz të evakuuar dhe rrugë të pakalueshme janë realiteti i përditshëm i mijëra qytetarëve.
Situata në qarkun Fier paraqitet problematike si pasojë e rritjes së prurjeve të lumenjve. Sipas informacionit zyrtar, akset rrugore në të gjithë qarkun janë aktualisht të aksesueshme normalisht. Furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm vijon pa ndërprerje.
Nivelet e lumenjve Seman dhe Shkumbin janë në tendencë rritjeje. Situata më kritike paraqitet në lumin Vjosë. Në Urën e Mifolit, prurjet kanë kaluar pikat e matjes dhe aktualisht niveli i ujit ka arritur pikën kritike përgjatë argjinaturës. Si pasojë, në fshatrat Kashisht, Adë, Kafaraj, Cerven dhe Ferras janë përmbytur rreth 200 hektarë tokë bujqësore brenda argjinaturave. Po ashtu, raportohet prani e lartë uji në 27 banesa në zonën Ferras–Cerven, të cilat ndodhen brenda argjinaturës mbrojtëse.
Prurjet e larta të lumit Vjosë kanë ndikuar edhe në Stacionin e Pompimit të Kafarajt, në Njësinë Administrative Frakull. Të dhënat e marra nga pika e matjes në Urën e Memaliajt tregojnë për përkeqësim të situatës në orët në vijim, çka ka shtuar gatishmërinë e strukturave përgjegjëse.
Qarku i Durrësit është një nga më të goditurit nga reshjet. Janë raportuar 953 banesa të mbushura me ujë në zonat ish-Kënetë, Shkozet, Plazh, Manëz dhe Rrashbull. 160 persona janë evakuuar dhe strehuar në godina shtetërore. 337 biznese kanë raportuar dëme nga uji që ka depërtuar në ambientet e tyre. Në burgun e Durrësit, kati i parë është përmbytur dhe lëvizja e stafit është bërë me gomone. Mbi 100 hektarë tokë bujqësore janë nën ujë si pasojë e kanaleve të bllokuara dhe mungesës së drenazhimit.
VLORË
Lumi Vjosë ka dalë nga shtrati në zonën e Mifolit, ku niveli i ujit arriti deri në 8 metra. Rreth 40 hektarë tokë bujqësore janë nën ujë, ndërsa 13 familje pranë lumit janë evakuuar preventivisht dhe 14 të tjera mbeten të rrezikuara. Në Selenicë, rrëshqitjet e dherave kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme, përfshirë shembjen e rrugës dhe shkatërrimin e dy banesave në fshatin Vajzë. Situata mbetet e paqëndrueshme pasi prurjet pritet të vazhdojnë.
LEZHË – KURBIN
Në Lezhë dhe Kurbin janë të përmbytura rreth 3100 hektarë tokë bujqësore. Janë të paktën 150 banesa të rrethuara nga uji, ndërsa 8 familje janë evakuuar. Banorët e Laçit, Mamurrasit dhe Gjormit raportojnë dëme të mëdha në fermat bujqësore dhe blegtorale, ndërsa një pjesë e rrugëve rurale mbetet e pakalueshme. Në Kurbin ka pasur protesta dhe bllokim të rrugës nacionale për shkak të përsëritjes së përmbytjeve dhe mungesës së pastrimit të kanaleve.
KORÇË – POGRADEC
Në qarkun e Korçës situata është përkeqësuar kryesisht në Pogradec. Në fshatin Rëmenj, lumi ka dalë nga shtrati duke hyrë në banesa dhe oborre. Në Dardhas është çarë një segment rrugor nga rrëshqitja e dherave dhe është rrezikuar edhe zona e varrezave. Prezencë uji është raportuar në fshatrat Çiflig, Shamoll dhe Denas, ku disa shtëpi ndodhen nën ujë. Argjinatura e përroit Oshtica ka çarje, ndërsa prurjet e lumit Dunavec janë rritur ndjeshëm.
ELBASAN
Në Elbasan janë raportuar të paktën pesë banesa të përmbytura në zonën e ish-Kombinatit Metalurgjik. Situata është e rënduar edhe në Jagodinë dhe Muriqan, ku toka bujqësore dhe oborret janë nën ujë dhe banorët thonë se uji ka hyrë në mjediset e brendshme. Shkaku kryesor i përmbytjeve sipas komunitetit është mospastrimi i kanaleve kulluese, të cilat kanë dalë jashtë funksionit. Përmbytje parcellash bujqësore ka edhe në Gjergjan, Belsh dhe Cërrik.
GJIROKASTËR
Reshjet kanë shkaktuar bllokim rrugësh, rrëshqitje dherash dhe dëme në bizneset e Gjirokastrës. Në lagjen “18 Shtatori”, rreth 70 njësi tregtare kanë pësuar dëme nga uji dhe inertet e mbledhura. Në disa lagje të sipërme të qytetit rrëshqitjet e kodrës kanë bllokuar aksesin e automjeteve. Disa rrugë rurale dhe segmente drejt Lazaratit dhe Valares janë të bllokuara ose të vështirë për qarkullim.
DIBËR
Në qarkun Dibër, rreshqitjet e dherave kanë goditur aksin Burrel–Rrëshen, ku një masiv shkëmbor ka rënë pranë urës së Urakës, duke vështirësuar qarkullimin. Ka raportime për shembje të skarpatave dhe ngushtim të rrugës vetëm në një korsitë lëvizjeje. Edhe rrugët e brendshme të disa fshatrave janë bllokuar përkohësisht nga rrëshqitjet dhe materiali i sjellë nga shpatet.
KUKËS
Në Kukës reshjet kanë shkaktuar rrëshqitje dhe dëmtime të urave dhe rrugëve rurale, sidomos në Grykën e Vanave dhe njësitë Zapod dhe Shishtavec. Ura e Orgjostit është dëmtuar dhe rrezikon të izolojë mbi 1000 banorë. Në dy shkolla është pezulluar mësimi. Disa zona malore janë pa energji elektrike për shkak të defekteve të rrjetit. Në Cërnalevë dhe Oreshkë, rrugët rurale mbeten të pakalueshme deri në ndërhyrjet e mjeteve të rënda.


