Sot dërgojmë një mesazh të fortë dhe të qartë se po ecim përpara, nga një sistem që është lënë pas dore me dekada, drejt një menaxhimi modern, të qëndrueshëm dhe evropian të mbeturinave, tha kryeministri Hristijan Mickoski nga Manastiri, ku u promovuan pajisjet për menaxhimin e mbeturinave për komunat e rajonit të Pellagonisë dhe Jugperëndimit.
Sipas kryeministrit Mickoski, me dorëzimin e pajisjeve të reja për trajtimin e mbeturinave të ngurta, po hidhet një hap konkret drejt një mjedisi më të pastër, një cilësie më të lartë jetese dhe mbrojtjeje më të fortë të shëndetit të qytetarëve.
“Kjo pajisje nuk është vetëm një mjet teknik, është një simbol i ndryshimit sistemik. Me shpërndarjen e saj, ne mundësojmë rritje të ndjeshme të mbulimit të shërbimeve të mbledhjes së mbeturinave, si në zonat urbane ashtu edhe në ato rurale. Kjo do të thotë që çdo vendbanim, çdo qytetar merr trajtim të barabartë dhe kujdes të barabartë nga shteti. Me këtë investim, ne po sulmojmë drejtpërdrejt deponitë ilegale, problemin e gjatë të asgjësimit informal dhe të pakontrolluar të mbeturinave. Në vend të kaosit, po vendosim rend, në vend të improvizimit, po ndërtojmë një sistem. Është veçanërisht e rëndësishme që po krijojmë kushte për përzgjedhjen e mbeturinave në burim. Ky është një ndryshim kulturor, jo vetëm një masë teknike”, theksoi kryeministri Mickoski, përcjell PressOnline.al
Kryeministri theksoi se investimi do të thotë edhe dëshmi e dukshme dhe praktike e, siç tha ai, investimeve që po i bëjnë.


