Pas arrestimit të Nicolas Maduros, presidenti amerikan, Donald Trump paralajmëroi presidenten në detyrë të Venezuelës, Delcy Rodriguez, se “nëse ajo nuk bën atë që është e drejtë, do të paguajë një çmim shumë të madh, ndoshta më të madh se Maduro”.
Rodriguez, e krahut të majtë politik, ishte zëvendëspresidente e Maduros përpara se të emërohej presidente në detyrë më 4 janar.
Ajo e quajti veprimin e SHBA-së shkelje të Kartës së OKB-së dhe u zotua se nuk do të jenë kurrë më skllevër”.
Maduro është transportuar në Nju Jork pas kapjes së tij nga forcat amerikane gjatë sulmit që u dënua nga Irani, Rusia dhe aleatë të tjerë të vendit të Amerikës së Jugut, por u përshëndet nga venezuelianët që jetojnë në mërgim.
Ai dhe bashkëshortja e tij pritet që sot të dalin përpara gjykatës në Nju Jork për tu njohur me akuzat që kanë të bëjnë narkoterrorizmin, trafikimin e kokainës, posedimin e armëve të rënda shkatërruese dhe drejtimin e një qeverie të paligjshme dhe të korruptuar.
Një gjeneral i lartë amerikan tha se 150 avionë amerikanë ishin përfshirë në sulm pas muajsh përgatitjesh.
Shifrat e viktimave nuk u zbuluan. Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se disa zyrtarë amerikanë u plagosën, por shtoi se ata janë mirë.
Ndërkohë, Kuba bëri me dije se 32 anëtarë të forcave të saj të sigurisë u vranë në Venezuelë gjatë sulmit amerikan.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar po ashtu me veprime ushtarake kundër Qeverisë së Kolumbisë, duke u thënë gazetarëve se një operacion i tillë i duket mire.
“Kolumbia është gjithashtu shumë e sëmurë, e drejtuar nga një njeri i sëmurë, të cilit i pëlqen të prodhojë kokainë dhe ta shesë në Shtetet e Bashkuara. Dhe nuk do ta bëjë këtë për shumë kohë”, tha Trump.
Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, në platformën “X” ka shkruar se Amerika është shteti i parë në botë që ka bombarduar një kryeqendër të Amerikës së Jugut”.


