Ka filluar numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës në përfaqësitë diplomatike.
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve tashmë kanë arritur votat nga votimi në 29 përfaqësitë diplomatike të Kosovës, të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës.
E nga afro 20 mijë votues, të drejtën e tyre e kanë ushtruar rreth 80 për qind.
“Më 27 dhjetor 2025, në 29 përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, nga 19,187 shtetasit e regjistruar, kanë votuar më shumë se 16,165 prej tyre. Procesit të numërimit të votave nga përfaqësuesit diplomatike do t’i nënshtrohen mbi 16 mijë fletëvotime dhe pasi të mbyllen do vazhdojmë me numrin e fletëvotimeve të cilat i takojnë votimit përmes postës”, deklaroi zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Nga votimi me postë, deri tani janë tërhequr dy kuti postare jashtë vendit, ajo në Berlin të Gjermanisë dhe në Bernë të Zvicrës.
Gjersa numërimi i votave të diasporës pritet të marrë kohë, numërimi i votave në qendrat komunale po shkon drejt fundit.
“Deri të enjten në mesnatë, procesi i verifikimit dhe numërimit është përmbyllur në 32 qendra komunale të numërimit. Në 6 të tjera po vazhdon ende, pra e enjte dy janar, dhe e gjithë aktiviteti në qendrat komunale presim të përmbyllet këtë fundjavë. Aktivitetet në QNR do marrin kohë disa ditë dhe natyrisht do zhvillohen edhe gjatë javës së ardhshme
Numërimi i votave të kandidatëve për deputetë ka rifilluar të enjten në 11 komuna ndërsa aktualisht, po vazhdon në Prishtinë, Pejë Ferizaj e Gjilan. Numri total i votave pritet të jetë rreth 950 mijë”, tha Elezi.


