Cristiano Ronaldo ka ndërmarrë një hap të ri në botën e biznesit, larg fushës së futbollit dhe dritave të stadiumeve. Ylli portugez ka hapur një klub privat super-ekskluziv, jo si një projekt sportiv, por si një hapësirë luksoze ku privatësia absolute është rregulli themelor.
Klubi mban emrin The Vega Private Members Club dhe funksionon mbi një filozofi të rrallë për kohën moderne: pa telefona, pa filmime dhe pa rrjete sociale. Në një epokë ku çdo moment dokumentohet dhe shpërndahet, Ronaldo zgjedh të shesë pikërisht të kundërtën qetësinë dhe diskrecionin.
Gjatë ditës, The Vega shërben si një ambient i rezervuar për takime private, salla biznesi dhe zyra ekskluzive, i menduar për individë që kërkojnë diskrecion maksimal. Në mbrëmje, hapësira transformohet në një restorant dhe bar luksoz, i aksesueshëm vetëm për anëtarët e klubit.
Qasja e kufizuar dhe rregullat strikte e bëjnë The Vega një vend ku elita mund të shijojë shërbime premium larg vëmendjes publike dhe syrit të kamerave.
Për të qenë pjesë e këtij rrethi të mbyllur, kërkohet një pagesë njëherëshe prej 20 mijë dollarësh, e vlefshme për gjithë jetën. Nuk ka abonime mujore apo vjetore anëtarësimi është selektiv dhe i përhershëm.
Rregulli është i qartë dhe i panegociueshëm: asnjë foto, asnjë video, asnjë postim. Për shumëkënd, kjo e kthen privatësinë në luksin më të madh të epokës digjitale.
Ky projekt shihet si pjesë e një tranzicioni të menduar mirë drejt jetës pas futbollit. Ronaldo po e orienton gjithnjë e më shumë fokusin drejt familjes, biznesit dhe pasioneve të reja, duke ndërtuar një identitet përtej karrierës sportive.
Perandoria e tij tashmë përfshin modën, linjat e parfumeve, palestrat CR7, investime në YouTube dhe pasuri të paluajtshme, si dhe një aksion të fundit në kompaninë spanjolle të MMA-së Wow FC. The Vega shtohet si një tjetër hallkë strategjike në këtë zinxhir biznesesh, duke e pozicionuar Ronaldon si një sipërmarrës që di të lexojë trendet e reja.
Në një botë ku gjithçka është publike, Cristiano Ronaldo duket se po investon në atë që po bëhet gjithnjë e më e rrallë: privatësinë si simbol statusi.




