Një grup deputetësh kërkojnë shtyrjen e zbatimit të Ligjit për nëpunësit administrativë, i miratuar në korrik të vitit 2025. Një pjesë e dispozitave të këtij ligji ishte paraparë të hynte në fuqi nga fillimi i vitit të ardhshëm, ndërsa një pjesë tjetër nga 1 janari 2027. Kushtet dhe klasifikimi i vendeve të punës të nëpunësve administrativë, si dhe pagat, kompensimet dhe shtesat e nëpunësve administrativë, ishte paraparë të zbatoheshin nga 1 janari 2026, por tani kërkohet shtyrja e tyre, informon PressOnline.al
“Analizat tregojnë se në sektorin publik ende nuk janë ndërmarrë të gjitha veprimet përgatitore, në mënyrë që dispozitat e Kapitullit III, që kanë të bëjnë me kushtet dhe klasifikimin e vendeve të punës të nëpunësve administrativë, si dhe të Kapitullit XII, që lidhen me pagat, kompensimet dhe shtesat e nëpunësve administrativë, të fillojnë të zbatohen nga 1 janari 2026. Për këtë arsye, me këto ndryshime të propozuara parashihet shtyrja e zbatimit të këtyre kapitujve, në mënyrë që edhe ata të fillojnë të zbatohen nga 1 janari 2027. Përjashtim bëjnë vetëm disa dispozita të Kapitullit XII, që kanë të bëjnë me kompensimet dhe shtesat, të cilat është e rëndësishme të fillojnë të zbatohen nga 1 shkurti 2026, pasi janë të rëndësishme për mbajtjen e nëpunësve administrativë me nivel të lartë profesionalizmi, çka është pjesë e Agjendës Reformuese të Maqedonisë së Veriut 2024–2027”, sqarohet në ligjin e dorëzuar në Kuvend, përcjell PressOnline.al
Propozues të këtyre ndryshimeve janë një grup deputetësh, përkatësisht: Antonio Milloshoski, Bojan Stojanoski, Valjbona Adili-Emini, Vesna Bendevska, Daniel Stojçevski, Dafina Stojanoska, Kaltrina Bekiri, Ljupço Prendzhov, Mile Cekov, Mimoza Musa, Pavle Arsoski dhe Saranda Imeri-Stafai.
Ata kanë sqaruar se qëllimi i shtyrjes është sigurimi i një periudhe shtesë, gjatë së cilës sektori publik do të përgatitet për zbatimin e suksesshëm të Ligjit për nëpunësit administrativë të korrikut 2025.
“Duke u mbështetur në dëshmitë dhe analizat, konstatojmë se nuk ekzistojnë kapacitete reale që dispozitat përkatëse të Kapitullit III dhe Kapitullit XII të Ligjit për nëpunësit administrativë të zbatohen me sukses duke filluar nga viti 2026. Për këtë arsye, propozohet shtyrja e tyre e mëtejshme (me përjashtim të disa dispozitave që kanë të bëjnë me shtesat dhe kompensimet). Rrjedhimisht, propozohet edhe shtyrja e afatit për miratimin e akteve nënligjore, pasi janë të nevojshme aktivitete përgatitore për operacionalizimin e plotë të Ligjit dhe për rregullimin nomoteknik”, theksohet në zgjidhjen ligjore të dorëzuar në Kuvend.
Deputetët theksojnë se ky ligj krijon implikime financiare për Buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përmes shtesave të pagave për mbajtjen e nëpunësve administrativë, të cilat secili institucion do të mund t’i sigurojë brenda buxheteve të veta. Megjithatë, ata shtojnë se nuk bëhet fjalë për mjete financiare shtesë. Propozohet që ky ligj të miratohet me procedurë të shkurtuar, pasi nuk bëhet fjalë për një ligj kompleks apo voluminoz.
Deputetët vlerësojnë se me këtë Projektligj do t’i mundësohet sektorit publik të përgatitet në mënyrë adekuate për zbatimin e Ligjit për nëpunësit administrativë, përkatësisht do të shmanget rreziku që dispozitat për kushtet dhe klasifikimin e titujve, si dhe dispozitat për pagat, të fillojnë të zbatohen, ndërkohë që institucionet nuk janë të përgatitura për këtë në fillim të vitit 2026.


