Në prag të zgjedhjeve lokale të 11 janarit, koalicioni VLEN ka njiftuar se Zulhajrat Demiri, i cili garon si kandidat i pavarur për kryetar të Komunës së Vrapçishtit, do të ketë mbështetjen e koalicionit në këtë proces zgjedhor.
VLEN-i thotë se Zulhajrat Demiri vjen me një përvojë të gjatë profesionale dhe me një angazhim të dëshmuar në shërbim të të gjithëve.
“Mbështetja për kandidaturën e tij buron nga bindja se Vrapçishti meriton drejtim të ri, të përgjegjshëm dhe të orientuar drejt rezultateve, me fokus në zhvillimin lokal dhe mbështetjen e qytetarëve. VLEN beson se bashkëpunimi me një kandidat të pavarur, me integritet të lartë dhe vizion të qartë, është rruga e duhur për t’i hapur komunës perspektiva të reja dhe për t’i kthyer qytetarët në qendër të vendimmarrjes”, thuhet në njoftimin e VLEN-it.
Ndryshe, Zulhajrat Demiri deri vonë ka qenë pjesë e Degës së ASH-së në Vrapçisht të Ziadin Selës, ndërsa në zgjedhjet e fundit parlamentare – vitin e kaluar, kishte qenë pjesë e Frontit Evropian. Ka qenë drejtor i ndërmarrjes shtetërore “Hekurudha e Maqedonisë – Transporti”, si i deleguar i ASH-së së Selës.


