Instituti për Kërkime Politike – Shkup (IPIS), portali Religija dhe Fondacioni Konrad Adenauer (KAS) kanë publikuar rezultatet e studimit më të ri mbi perceptimin e qytetarëve për përdorimin e elementeve fetare në fushatat politike gjatë zgjedhjeve lokale të fundit, informon PressOnline.al.
Studimi tregon se një pjesë e partive ende e përdorin fenë dhe simbolet fetare në komunikimin politik, edhe pse ky fenomen është në rënie krahasuar me matjet e viteve 2017 dhe 2020. Rreth një në tre qytetarë besojnë se feja është përdorur – plotësisht ose pjesërisht – për të ndikuar në votime. Megjithatë, vetëm një pjesë e vogël e votuesve (rreth 16%) pranojnë se feja ka ndikuar në vendimin e tyre elektoral.
Në vlerësimet e qytetarëve, partitë maqedonase që përdorin më shumë fenë janë VMRO-DPMNE (nota 2.34), SDSM (1.84) dhe Levica (1.74). Tek partitë shqiptare, shkalla e përdorimit mbetet më e lartë: BDI (2.73) dhe VREDI (2.65). Ndërsa kandidatët e pavarur marrin notën mesatare 1.9.
Gjithsesi, shumica dërrmuese e qytetarëve refuzojnë përzierjen e politikës me fenë: 68.3% e konsiderojnë këtë praktikë si abuzim me ndjenjat e besimtarëve, 64.2% nuk mbështesin kërkimin e bekimeve fetare nga kandidatët, dhe 61% janë kundër premtimeve zgjedhore që përfshijnë ndërtimin ose rinovimin e objekteve fetare.
Studimi zbulon edhe rritje të tolerancës: 52% e qytetarëve do të votonin një kandidat me fe të ndryshme nga e tyre. Megjithatë, për një pjesë të elektoratit, feja mbetet ende faktor vendimtar.
Sipas autorëve, feja vazhdon të ketë ndikim në proceset politike, edhe pse perceptimet për këtë ndikim po bien gradualisht. Vetëm 24.3% e qytetarëve mendojnë se bashkësitë fetare kanë favorizuar një parti të caktuar në zgjedhjet e fundit.
Studimi është realizuar pas zgjedhjeve lokale, në nëntor 2025, me një mostër prej 1128 të anketuarish dhe me margjinë gabimi ±3.2%.(PressOnline.al)


