Islanda është vendi i pestë që bojkoton Festivalin e Këngës në “Eurovizion 2026”, sipas “Independent”.
Vendi nordik i është bashkuar Spanjës, Irlandës, Sllovenisë dhe Holandës duke thënë se nuk do të marrë pjesë në konkursin e vitit të ardhshëm, pas konfirmimit të pjesëmarrjes së Izraelit në garë javën e kaluar, pavarësisht thirrjeve për përjashtimin e tij për shkak të operacioneve ushtarake në Gaza.
“Pjesëmarrja e transmetuesit kombëtar izraelit, “Kan”, në konkurs ka krijuar përçarje midis anëtarëve të Unionit Evropian të Transmetimeve (EBU) dhe publikut të gjerë”, tha sot transmetuesi islandez RÚV në një deklaratë.
Siç raportohet nga BBC, Islanda kishte deklaruar edhe më herët se nuk kishte ndërmend të merrte pjesë në konkursin e vitit të ardhshëm, por dëshironte të priste derisa çështja të diskutohej nga bordi i drejtorëve të saj përpara se ta bënte njoftimin zyrtar.
Prania e Izraelit në “Eurovizion” ka qenë një burim tensioni në rritje për shkak të luftës së tij në Gaza, si dhe akuzave se qeveria e Izraelit u përpoq të ndikonte në votimin publik në festivalin e këtij viti.



