Protestat e fermerëve në Greqi pritet që të vijojnë deri për Krishtlindjet. Këtë gjë e ka bërë të ditur gazetari shqiptar në Greqi Renato Leka, në emisionin “Live në Mëngjes” në Vizion Plus.
Leka u shpreh se janë 24 mijë traktorë që kanë bllokuar autostradat në të gjithë Greqinë, ndërsa situata më e ashpër sipas tij është në Kretë, ku është mbyllur edhe aeroporti.
“Në të gjithë Greqinë janë më shumë se 24 mijë traktora në autostradë. Situata e djeshme ishte shumë e ashpër. Problemi është se protestat do të zgjasin deri për Krishtlindjet. Unë mendoj se qeveria nuk do të bëjë asnjë gjë për kërkesat e tyre. Pikat e protestës janë për energjinë dhe naftën, ndërsa qeveria thotë që kemi çmimin më të ulët.
Në Kretë ka pasur protesta më të ashpra, sepse edhe aeroporti atje u mbyll”, tha Leka.
Gazetari shtoi më tej se qytetarët fillimisht i kanë mbështetur protestat, por bllokimi i rrugëve ka bërë që tashmë ata të ndahen në dysh në opinione.
“Në fillim qytetarët ishin me fermerët, por me bllokimet e rrugëve është kthyer në shqetësim dhe janë ndarë reagimet në gjysëm”, tha ai.
Leka më tej theksoi se irritimi i fermerëve erdhi pas zbulimit të skandalit me fondet e BE, të cilat nuk kishin shkuar në duart e tyre, por diku tjetër.
“Në pranverë u zbulua edhe skandali me fondet e Europës për fermerët, të cilat u shpërndanë në njerëz të tjerë dhe jo tek ata që duhet të merrnin”, tha Leka.
Përpjekja e fermerëve ditën e djeshme për të çarë barrikadat policore solli ndërhyrjen e menjëhershme të forcave të rendit, të cilat përdorën armë kimike dhe granata zhurmuese për t’i shpërndarë.
Bujqit u kundërpërgjigjën duke qëlluar me gurë drejt policisë.
Në kulmin e përplasjes, një automjet i policisë u përmbys nga demonstuesit ,ndërsa si pasojë e incidenteve një civil dhe një oficer policie mbetën të plagosur./vizionplus.tv


