Drexler: Maqedonia duhet të përshpejtojë reformat sipas raportit të BE-së

featured
Press Online
07 Dhjetor 2025, 22:51

Ambasadorja gjermane në Shkup, Petra Drexler, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se raporti i fundit i Komisionit Evropian për procesin e negociatave ka dhënë sinjale të qarta se në cilat fusha Maqedonia e Veriut duhet të intensifikojë përpjekjet për të bërë përparim.

Sipas saj, hapi i radhës në negociatat me BE-në është i qartë, ndërsa qytetarët me të drejtë presin që investimi i tyre shumëvjeçar në integrimin evropian të japë rezultate konkrete.

“Nëse rrezikohet besimi se procesi i pranimit është i bazuar në meritë, atëherë duhet punuar për ta rikthyer atë. Pikërisht këtë logjikë ndjek edhe Plani i Rritjes i Komisionit Evropian”, tha Drexler.

Ambasadorja u ndal edhe te debatet e fundit për buxhetin e gjyqësorit, duke i cilësuar si shenjë të shëndetshme të demokracisë.

Ajo theksoi se çështja e gjyqësorit nuk duhet reduktuar vetëm në temat si pagat e gjyqtarëve, pasi problematikat janë shumë më të thella.

“Nëse 40% e vendeve të punës në gjyqësor janë të paplotësuara, efikasiteti nuk mund të sigurohet. Kjo nuk lidhet më me performancën individuale, por bëhet problem strukturor”, u shpreh Drexler.

Në fund, ajo shtoi se nuk i takon asaj të flasë për individë të veçantë në gjyqësor, por theksoi rëndësinë e respektimit të procedurave ligjore gjatë emërimeve dhe përfundimit të mandateve në pozitat e larta gjyqësore.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter