Amir Abrashi i ka dhënë fund karrierës së tij me Kombëtaren e Shqipërisë në moshën 35-vjeçare, duke mbyllur kështu një kapitull të artë që zgjati plot 12 vite.
Mesfushori nga Gjakova, aktualisht pjesë e Grasshoppers në Zvicër, iu bashkua kuqezinjve në vitin 2013 dhe debutoi në fitoren 2-0 kundër Armenisë.
Që prej asaj dite, ai zhvilloi 51 ndeshje me Shqipërinë, duke shënuar një gol dhe dhuruar katër asistime, ndërsa u shndërrua në një prej liderëve më të rëndësishëm të brezit të tij.
Largimi i tij nga Kombëtarja shënon fundin e një epoke për skuadrën kuqezi, pasi Abrashi ka qenë pjesë kyçe e shumë sfidave historike, gjithmonë i dalluar për karakter, sakrificë dhe profesionalizëm.
Në vijim, deklarata e plotë e Amir Abrashit, të cilën ai ia ka dedikuar tifozëve dhe gjithë familjes kuqezi:
“Të dashur tifozë kuqezi, Sot dua t’ju drejtohem me dorë në zemër për t’ju njoftuar se po e përmbyll kapitullin tim me Kombëtaren e Shqipërisë.
Dua t’ju falënderoj nga zemra për mbështetjen që më keni dhënë ndër vite. Ju keni qenë forca ime, motivimi im më i madh dhe arsyeja pse gjithmonë kam dhënë gjithçka në fushë.
Jam mirënjohës që kam qenë pjesë e këtij rrugëtimi të jashtëzakonshëm dhe që pata fatin të luftoj për ngjyrat kuqezi.
Edhe pse karriera ime me Shqipërinë mbyllet këtu, zemra ime mbetet përgjithmonë kuqezi.
Falënderoj nga zemra trajnerët Gianni De Biasi, Christian Panucci, Edoardo Reja dhe Sylvinho për punën, udhëheqjen dhe besimin që më kanë dhënë gjatë gjithë këtyre viteve.
Një falënderim i veçantë shkon edhe për gjithë stafin e FSHF-së, të cilët kanë qenë gjithmonë mbështetje e jashtëzakonshme në çdo moment të këtij rrugëtimi.
Faleminderit për gjithçka”, ka shkruar Abrashi.


